“Pas hyrjes në BE do jemi njësoj si suedezi në Suedi” – Zotimi i Ramës


Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës, ironizoi opozitën duke thënë se kërkon votën për të rrëzuar arritjet e deritanishme.

Ai theksoi rëndësinë e anëtarësimit në BE dhe mundësinë që çdo shqiptar të pajiset me pasaportën evropiane, e cila do të sigurojë barazi dhe mundësi të reja për qytetarët, veçanërisht për studentët që duan të ndjekin studimet në Europë.

“Përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani. Barazia para ligjit dhe ndërtimi i institucioneve që bëjnë dallimin midis vendeve nuk janë diçka që janë e garantuar nëse ne nuk jemi pjesë e BE. Prandaj kjo është themelore.

Nga ana tjetër, po kaq konkrete është mundësia që çdo shqiptar të pajiset me pasaportën evropiane të Shqipërisë. Dëgjoja disa që thoshin nëpër komente që shi tani e la Evropën dhe tani do të na japë pasaportën.

Pasaportën e BE buron nga hyrja në BE dhe ne duhet të bëhemi anëtarë që të bëhemi anëtarë. Marrja e pasaportës për çdo shqiptar është moment transformimi i jetës së tij.

Pasaporta i jep më në fund atë që s’e ka pasur kurrë, dinjitetin e barabartë me këdo tjetër në diellin e përbashkët të Evropës. I jep statusin e barabartë dhe mundësinë që kurrë më të mos shihet qytetar/e e dorës së dytë. I jep të gjithë fëmijëve të studiojnë në vendet e BE si shtetas të BE dhe jo si studentë të huaj.”, tha Rama. 

Ai ironizoi opozitën, duke i quajtur “këneta” që përmendin BE-në pa një vizion të qartë.

Rama nënvizoi se pasaporta evropiane do t’i japë çdo shqiptari të drejta të barabarta me qytetarët e BE dhe se Shqipëria duhet të vazhdojë reformat për të siguruar anëtarësimin e saj në vitin 2027.

“Ne jemi autorë të reformës në drejtësi, udhëheqës të procesit transformues të drejtësisë dhe bartës të kostove më të mëdha të procesit. Përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani.
Pasaporta e BE i jep fëmijëve të Shqipërisë të studiojnë në çdo vend të BE. I jep çdo shqiptari që të jetë po aq francez sa francezët në Francë, aq suedez sa suedezi në Suedi e kështu me radhë.
Dikush mund të thotë që këtu të gjithë duan ta çojnë Shqipërinë në BE, edhe këneta “BE, BE “ thotë gjithë ditën. Gjithë bretkosat “BE “ kanë gjithë ditën në gojë.

Na është caktuar 2027 si afat, negociatat janë një punë për të qëruar oriz në çdo ligj, nen e sektor, një punë për të provuar se çdo gjë që shkruhet bëhet.

11 maji duhet të jetë vula e shumicës dërrmuese shqiptare për t’i hënë ekipit që punon për integrimin në BE që gjërat duhet të vijojnë.

Nuk ka mundësi ti shpjegosh BE-se se u bënë zgjedhjet dhe gjërat do të bëhen kështu.

Me hyrjen tonë në BE, Europa bëhet sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet sa Europa”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me kandidatët e PS, u shpreh se skuadra e socialistëve pasqyron më së miri momentin aktual dhe se partia i ka dhënë mundësi të gjithëve.

Ai ironizoi opozitën duke përmendur Halit Valterin si një ish-kritik që iu afrua PS fillimisht nga inati ndaj kundërshtarëve.

Rama theksoi se integrimi në BE do të sjellë ndryshime të mëdha, duke nënvizuar se fjala “Ball Kombëtar” do të mbetet vetëm një shprehje.

“Sa i përket skuadrës tonë, jam i bindur që skuadra pasqyron më së miri këtë moment, nuk ka asnjë herë dot një skuadër perfektë por është e qartë se PS u ka dhënë mundësinë të gjithëve dhe ballistëve të shohin nga ne nëse nuk duan të vdesin në kënetë.

Kemi një ballist këtu, Halit Valterin që që kur na njohu nuk na u nda ne. Në fillim vinte afër nesh për inat të atyre por më vonë kuptoi që ishte diçka më shumë se inati.

Është shansi i tyre i fundit për të dalë nga këneta. Kur të hyjmë në BE, fjala Ball Kombëtar do të jetë vetëm një shprehje”,- u shpreh Rama me tej.