Pasi Ukraina ra dakord me një propozim të SHBA-së për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor në luftën me Rusinë, Putin veshi të mërkurën një uniformë ushtarake dhe vizitoi një post komandë ku iu tha se Moska ishte afër rimarrjes së gjithë rajonit të Kurskut.
Duke folur një ditë më vonë së bashku me kreun bjellorus Alexander Lukashenko – i cili ndërmjetësoi dy procese të dështuara për t’i dhënë fund pushtimit fillestar të Putinit në Ukrainë një dekadë më parë – presidenti rus tha se çdo armëpushim thjesht do t’i lejonte forcat e Kievit të rigrupohen ndërkohë që Moska është afër për ti dëbuar ato nga Kursku.
Mesazhi nga Putin ishte i qartë: me forcat e saj që përparojnë përgjatë vijës së frontit gati 2,000 km, Rusia ka pak arsye për të ndaluar luftën nëse nuk i arrin qëllimet e saj me mjete të tjera.
Mbështetja që Putin i ka dhënë propozimit për armëpushimi të Donald Trump hedh poshtë një sërë kërkesash maksimaliste që mbeten në thelb të pandryshuara që kur presidenti rus urdhëroi pushtimin e Ukrainës tre vjet më parë.

Vladimir Putin viziton një pikë komandimi për trupat në rajonin Kursk të Rusisë të mërkurën
Ndërsa Trump shtyn për një fund të shpejtë të luftës, sfida e Putinit është të shfrytëzojë në maksimum përparësinë në fushën e betejës së Rusisë, duke ruajtur njëkohësisht linjën e afrimit me presidentin amerikan.
“Nuk ka asgjë që Trump mund të ofrojë në mënyrë të besueshme që do e bënte Rusinë të heqë dorë nga objektivat e saj në Ukrainë, por nëse nuk duhet të thuash “absolutisht jo” kur mund të ketë pasoja për ta bërë këtë?” tha Samuel Charap, një shkencëtar i lartë politik në Rand Corporation.
“Për rusët, leva është që të vijojnë luftimet ndërkohë që ata flasin, prandaj ata do të duan të lidhin çdo diskutim për një ndërprerje të armiqësive me një proces më të gjerë politik,” shtoi Charap.
Pezullimi i shkurtër i fundit i ndihmës ushtarake amerikane dhe shkëmbimi i inteligjencës për Ukrainën, i hequr pasi Kievi ra dakord me armëpushimin e Trump këtë javë, e ka ndihmuar materialisht Rusinë në atë që ishte ndoshta pika e saj më e fortë e kësaj lufte.
Përparimet në rajonin e Kurskut, ku Ukraina kapi më shumë se 1,000 km katrorë nga Rusia verën e kaluar, duket se e kanë nxitur veçanërisht presidentin rus.
Duke folur me Lukashenkon, Putin tregoi se Rusia do t’i kërkonte Ukrainës t’i jepte fund mobilizimit të detyruar dhe të dorëzonte të gjithë Kurskun, duke përfshirë pjesët që Rusia ende nuk ka mundur t’i rimarrë.
Ai pretendoi se kontigjenti i mbetur ukrainas në Kursk ishte pothuajse i rrethuar dhe së shpejti do përballej me një zgjedhje midis “dorëzimit ose vdekjes”.
Forcat e Kievit po tërhiqen nga vijat e frontit në Kursk, por ende kontrollojnë një pjesë të vogël toke midis qytetit rus të Sudzha dhe kufirit ukrainas.
Megjithatë, Trump të premten dukej se miratoi pretendimet e Putinit për gjendjen e vështirë të Ukrainës në zonë.
“Në këtë çast, mijëra trupa ukrainase janë të rrethuar plotësisht nga ushtria ruse, dhe në një pozicion shumë të keq dhe të cenueshëm,” shkroi presidenti amerikan në platformën e tij “Truth Social”.
Trump shtoi se diskutimet e SHBA-së me presidentin rus një ditë më parë kishin qenë “shumë të mira dhe produktive”.

Presidenti rus Putin takohet me homologun e tij bjellorus Alexander Lukashenko
Kremlini pret që perëndimi të ndalojë furnizimin e Kievit me armë dhe stërvitjen e trupave të tij, ndërkohë që paralajmëron se çdo mekanizëm i zbatueshëm i armëpushimit do marrë kohë për t’u zhvilluar.
Alexander Gabuev, drejtor i “Qendrës Eurasia Carnegie Russia” në Berlin, tha se për Putinin armëpushimi 30-ditor “duket si kurth”.
“Ka një mundësi që Rusia mund ta çojë Ukrainën në një cep të ringut në fushën e betejës deri në pikën ku ata do duhet të marrin disa vendime të pakëndshme,” tha ai.
“Rusia e di se Trump dëshiron një paqe të shpejtë, por nuk mund ta lërë Ukrainën t’i shpëtojë nga duart”.
Ai shtoi se gjatë një armëpushimi ukrainasit mund të bëjnë një marrëveshje me evropianët për sjelljen e paqeruajtësve.
“Rusia do përballej me dilemën nëse do t’i sulmonte ata dhe do rrezikonte të fajësohej për thyerjen e armëpushimit, ose thjesht ta gëlltiste këtë gjë dhe ta linte Ukrainën të forcojë pozicionin e saj”.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se kushtet e Putinit përbënin një kundërshtim të ofertës së Trump pa thënë më shumë.
“Sigurisht, Putini ka frikë t’i thotë presidentit Trump drejtpërdrejt se ai dëshiron ta vijojë këtë luftë dhe të vijojë të vrasë ukrainasit,” tha Zelensky.
“Putini e bën këtë shpesh, ai nuk thotë “jo” drejtpërdrejt, por ai i zvarrit gjërat dhe i bën të pamundura zgjidhjet e arsyeshme.”
Papajtueshmëria e Putinit do provojë gatishmërinë e Uashingtonit për të bërë presion ndaj Rusisë edhe pse ajo kërkon një afrim historik me Kremlinin.
Trump ka kërcënuar me sanksione më të ashpra nëse Rusia hedh poshtë ofertën e tij, por SHBA-ja gjithashtu ka treguar tashmë se nuk do e pranojë Ukrainën në NATO dhe do kërkojë që Kievi të bënte lëshime territorial, dy nga kërkesat thelbësore të Putinit për një zgjidhje më të gjerë.
Perspektiva e pajtimit me SHBA-në, megjithatë, mund t’i japë Putinit një nxitje shtesë për të arritur një marrëveshje.
“Rusia është e qartë se nuk dëshiron të kthehet të shihet si pengesa kryesore,” tha Charap.
SHBA-ja dhe Rusia janë përpjekur të qëndrojnë në linjë edhe pasi Putini shprehu kundërshtimet e tij të qarta ndaj propozimit të Trump.
Mike Ëaltz, këshilltari i Trumpit për sigurinë kombëtare, tregoi të enjten se Ukraina do duhej, së paku, të dorëzonte rajonin pjesërisht të pushtuar të Donbasit.
Dmitry Peskov, zëdhënësi i Putinit, i bëri jehonë Ëaltz-it duke thënë se kishte “baza për optimizëm të kujdesshëm”, duke shtuar se Putini i dha të dërguarit të Trump Steve Ëitkoff “informacione dhe sinjale shtesë”.
Megjithëse sanksionet e mëparshme të SHBA-së deri tani kanë dështuar të ndryshojnë qëndrimin e Putinit ndaj konfliktit, Shtëpia e Bardhë mund ta bëjë luftën më të dhimbshme për Rusinë, sipas Andrei Kolesnikov, një shkencëtar politik me bazë në Moskë.
Presioni i SHBA-së mbi eksportet e naftës të Rusisë ose çmimet globale të naftës mund të zvogëlojë të ardhurat buxhetore të Moskës, duke e detyruar Kremlinin të kërkojë fonde alternative, tha ai.

Përparimet në rajonin e Kurskut duket se e kanë trimëruar Vladimir Putinin
Por dëshira e dukshme e Trump për të bërë lëshime ndaj Rusisë me shpresën për të siguruar një marrëveshje të shpejtë kishte rritur pritshmëritë e brendshme për fitore edhe në mes të lodhjes së përhapur të luftës, shkruajnë analistët në “Qendrën e Strategjive të Eurazisë së Re” në një dokument informues.
Pamjet e sukseseve në fushën e betejës kanë trimëruar ndjenjat pro-luftës, ndërsa mburrja e Rusisë në ekonominë e saj të luftës ka krijuar zona të industrialistëve dhe ushtarakëve me interes të madh për të vijuar luftimet, shkruan ata.
Putin dukej se po luante me këtë ndjenjë javën e kaluar, kur nëna e një ushtari rus që vdiq në luftime i tha atij se Rusia “duhet të shkojë deri në fund dhe të mos bëjë asnjë lëshim”.
Putin u përgjigj: “Ne nuk po planifikojmë të ndalojmë.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani