Gjermania miraton paketën historike prej 500 miliardë eurosh për mbrojtjen dhe infrastrukturën


Parlamenti gjerman ka votuar në favor të një pakete shpenzimesh prej 500 miliardë eurosh, një fond historik që synon forcimin e mbrojtjes kombëtare dhe investime masive në infrastrukturën e ekonomisë më të madhe të Evropës.

Ky vendim u mbështet nga konservatorët e Friedrich Merz dhe Social Demokratët (SPD), të cilët pritet të formojnë një koalicion të ri qeverisës pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa në minutën e fundit morën edhe përkrahjen e Të Gjelbërve, votat e të cilëve ishin vendimtare për miratimin e planit në parlamentin aktual. 

Projektligji u votua nga 513 deputetë, ndërsa 207 ishin kundër dhe nuk pati asnjë abstenim, duke arritur kështu pragun e nevojshëm prej 489 votash për ndryshimin e kushtetutës, sipas The Guardian.

Përkrahësit e paketës e kanë cilësuar atë si një hap të domosdoshëm për të siguruar stabilitetin ekonomik dhe sigurinë kombëtare, ndërsa kritikët e shohin si një barrë të madhe financiare për brezat e ardhshëm.

Në një fjalim para deputetëve, Friedrich Merz argumentoi se ky vendim është i diktuar nga agresioni i Rusisë dhe nevoja për t’u përballur me kërcënimet në rritje.

 Ai përmendi një sërë veprimesh që, sipas tij, Rusia po i kryen kundër Gjermanisë, përfshirë sulme ndaj infrastrukturës kritike, akte sabotimi, spiunazh dhe përhapje të dezinformatave, të cilat synojnë të përçajnë dhe të dobësojnë Bashkimin Evropian. 

Merz pranoi shqetësimet lidhur me borxhin e madh që kjo paketë do të sjellë, por theksoi se Gjermania nuk mund të vazhdojë të jetojë me ndjenjën e rreme të sigurisë që ka mbizotëruar për më shumë se një dekadë.

 Ai tha se vendi duhet të përgatitet për një epokë të re dhe të rindërtojë kapacitetet e tij mbrojtëse, duke u bërë më i pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, ky është një ndryshim i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e Gjermanisë dhe të Evropës në një botë gjithnjë e më të pasigurt. 

Reagimi i tregjeve ndaj këtij vendimi ishte pozitiv, me vlerën e euros që u rrit në nivelin më të lartë të pesë muajve të fundit, ndërsa investitorët shpresojnë se kjo paketë do të ndihmojë Gjermaninë të dalë nga dy vite rënie ekonomike.

 Megjithatë, ekspertët kanë paralajmëruar se injektimi i këtij fondi duhet të shoqërohet me reforma të thella për të shmangur rreziqet e një borxhi të pakontrolluar. 

Pasi kaloi me sukses në Bundestag, paketa pritet të shkojë për votim të premten në Bundesrat, dhomën e lartë të parlamentit, e cila përfaqëson qeveritë e 16 landeve federale të Gjermanisë.

Ky vendim u mor me nxitim për të shmangur mundësinë e një bllokade në parlamentin e ri, i cili do të konstituohet më 25 mars dhe ku e djathta ekstreme AfD dhe e majta radikale Die Linke do të kenë vota të mjaftueshme për të bllokuar një ndryshim të tillë kushtetues. 

Në qendër të debatit është vendosur edhe çështja e të ashtuquajturës “frenë e borxhit”, një kufizim kushtetues i vendosur gjatë qeverisjes së Angela Merkel pas krizës financiare të vitit 2008, i cili detyron qeverinë gjermane të mbajë nën kontroll nivelin e borxhit publik.

Kjo rregullore ka qenë prej kohësh objekt kritikash nga ekonomistët, të cilët argumentojnë se ajo është tepër e ngurtë dhe nuk i përshtatet sfidave të reja gjeopolitike. 

Friedrich Merz u përball me kritika të forta gjatë debatit katër-orësh në parlament, veçanërisht nga deputetët e Të Gjelbërve, të cilët e akuzuan për mashtrim të votuesve.

 Ata thanë se gjatë fushatës elektorale ai ishte angazhuar fort për të mos ndryshuar rregullat e borxhit, por sapo fitoi zgjedhjet më 23 shkurt, ndryshoi plotësisht qëndrim. Merz e justifikoi këtë ndryshim duke argumentuar se situata ndërkombëtare ka ndryshuar me një shpejtësi të madhe dhe se rregullat fiskale të mëparshme nuk janë më të përshtatshme për realitetin e ri.