Interesat e depozitave e mbyllën në rënie vitin 2024


Normat e interesit të depozitave me afat në lekë e mbyllën në rënie vitin e kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për depozitat e reja në dhjetor 2024 zbriti në 1.62%, nga 1.89% që kishte qenë në nëntor dhe 1.64% që kishte qenë në fund të vitit 2023. Interesi mesatar i depozitave me afat për dhjetorin ra në nivelin më të ulët që nga janari i vitit të kaluar. 

Interesat e depozitave vitin e kaluar në përgjithësi kanë ndjekur lëvizjet e normës bazë të interesit dhe normat e interesit në segmentet e tjera të tregut, sidomos të yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë. Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë e ka ulur dy herë normën bazë të interesit, nga 3.25% në 2.75%. 

Këto lëvizje janë përcjellë shpejt në normat e interesit të tregut të brendshëm financiar. Yield-et e bonove dhe obligacioneve kanë rënë për të gjitha maturitetet. Madje, në ankandin e fundit, bonot 12-mujore të thesarit, që janë edhe instrumenti kryesor benchmark për tregun e brendshëm, zbritën poshtë normës bazë të interesit, në nivelin 2.73%. 

Ulja e normës bazë dhe yield-eve është reflektuar edhe në norma më të ulëta të interesit të kredive. Bankat duket se kanë reaguar duke ulur lehtë, në terma mesatarë, normat e interesit që paguajnë për depozitat e publikut. 

Ndërkohë, edhe interesat e depozitave në euro vitin e kaluar kanë ngelur në nivele pak a shumë të qëndrueshme, ndjeshëm më të ulëta krahasuar me depozitat në lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në euro në fund të 2024 ishte 1.12%, ndërsa një vit më parë kishte qenë në nivelin 0.99%. 

Në rastin e euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me lekun. Gjithashtu, ndërmjetësimi në euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë remunerimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave. Për këto arsye, normat e interesit për depozitat në euro ngelen më të ulëta krahasuar me ato në lekë.

Edhe Banka Qendrore Europiane vitin e kaluar ka nisur uljen e normave të interesit, duke ndjekur rënien e inflacionit dhe stanjacionin e ekonomisë së Eurozonës. 

Norma bazë e interesit për financimin e bankave ka zbritur tashmë në 2.65%, nga niveli maksimal prej 4.5% që kishte arritur në vjeshtën e vitit 2023. Kjo ulje është reflektuar shpejt në ecurinë e Euriborit dhe normave të tjera të interesit në tregjet europiane. Euribori 12 mujor ka rënë tashmë në nivelin 2.45%, nga 3.7% që kishte qenë një vit më parë. 

Pavarësisht normave të ulëta të interesit, depozitat kanë vijuar rritjen pozitive edhe për vitin 2024. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave në fund të dhjetorit arriti vlerën e 1.68 trilionë lekëve, në rritje me 5.2% krahasuar me një vit më parë. Në mungesë të zhvlerësimit të mëtejshëm të euros në kursin e këmbimit, rritja do të kishte qenë edhe më e lartë./Monitor