Tensionet në Lindjen e Mesme kanë shpërthyer sërish, pasi Izraeli kreu një seri sulmesh ajrore të gjera në Rripin e Gazës gjatë orëve të natës.
Pak pas orës 02:15 të mëngjesit (me orën lokale), avionët luftarakë izraelitë nisën dhjetëra sulme ajrore në të gjithë Gazën. Rreth orës 02:30, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe Agjencia e Sigurisë izraelite njoftuan se po godisnin “objektiva terroriste” të Hamasit.
Vetëm 15 minuta më vonë, Shërbimi i Emergjencave Civile Palestineze raportoi se Izraeli kishte kryer të paktën 35 sulme, duke shkaktuar të paktën 15 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Në orën 03:00, zyra e kryeministrit izraelit deklaroi se IDF ishte urdhëruar të ndërmarrë “veprime të forta” ndaj Hamasit, pas refuzimit të këtij të fundit për të liruar pengjet dhe për të pranuar propozimet e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në. “Izraeli do të veprojë nga tani e tutje kundër Hamasit me fuqi të shtuar ushtarake”, thuhej në deklaratë.
Në orën 03:20, Hamasi reagoi duke e cilësuar ofensivën ajrore si një “sulm të pabesë”, duke akuzuar Izraelin për përmbysjen e armëpushimit dhe vënien në rrezik të të burgosurve në Gaza.
Rreth 20 minuta më pas, një zyrtar izraelit tha se IDF po godiste dhjetëra objektiva, duke u bazuar në “gatishmërinë e Hamasit për të ekzekutuar sulme terroriste, për të rigrumbulluar forcat dhe për t’u riarmatosur”.
Pak para orës 04:00, u raportua se Mahmoud Abu Wafah, një nga drejtuesit më të lartë të sigurisë së Hamasit në territor, ishte vrarë nga sulmet izraelite.
Mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:00, Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, njoftoi se numri i viktimave nga bombardimet izraelite ishte rritur në të paktën 330 të vrarë, ndërsa qindra të tjerë ishin plagosur.
Fillimisht u shënuan 330 të vrarë, teksa me kalimin e orëve shifra u rrit në 404.
Tensionet mes Izraelit dhe Hamasit mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon përpjekjet për të rivendosur armëpushimin dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit./BBC