Jenishehri “divorcohet” me Berishën: Koalicioni gënjeshtër, Flamuri më tha firmos aty se flasim nesër


Kreu i Partisë së Pensionistëve Selami Jenishehri njoftoi mbrëmë largimin nga koalicioni opozitar Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Ai pohoi se është gënjyer nga Flamur Noka ndërsa theksoi se nuk është ftuar në asnjë mbledhje të koalicionit.

I ftuar në emisionin Të Pakespozuarit në MCN, Jenishehri tha se Flamur Noka i kërkoi firmën dhe i premtoi se do bisedonin, por kjo nuk ka ndodhur.

“Ne na thirri Luçiano Boçi, 6-7 parti, për të bërë koalicion. Unë thashë do të pyes kryesinë dhe ramë dakord. Thanë do t’ju thërrasim, do bëjmë mbledhje, do flasim për hollësirat. Këta të rrejnë. Asnjë mbledhje nuk kanë bërë. Asnjë mbledhje e 26 partive nuk është bërë. Asnjëherë nuk është mbledhur ai koalicion. Kur vjen puna, më kanë lënë deri në orën 20:00, kur janë dorëzuar listat nuk më kanë thirrur. Pastaj Noka më tha Selami firmos që je në koalicion, për të tjerat flasim nesër. As më pyeti kush asgjë. Unë nuk jam pjesë e atij koalicioni, kur nuk më ka thirrur dhe as më thërret. Kam dalë nga ai koalicion. I nderuar z. Sali Berisha, qëndrimi juaj për partitë, 26 aleatë, që pretendon se ky është koalicion më i madh i mundshëm. Aleanca e Shqipërisë Madhështore është një gënjeshtër që i drejton popullit shqiptar. Unë dhe aleatët nuk na ka thirrur njeri dhe nuk ka marrë mendim për listat dhe asgjë.” – tha Jenishehri.

Ai shtoi më tej se lista e kandidatëve të koalicionit e formuluar nga PD-ja është shumë e dobët dhe se Berisha kërkon të shpëtojë veten nga SPAK-u.

“Sali Berisha do të shpëtojë veten nga SPAK-u, vë servilat aty, njëri më i zi se tjetri. Ai çon dorën, çon edhe ai dorën… As nuk e lexojnë se çfarë kanë përpara. Nuk mund të ecësh para me këtë politikë. Ti do të shkosh në zgjedhje në 11 maj kur janë të paligjshme. Do t’u bëj kallëzim penal të gjithëve.” – shtoi kreu i Partisë së Pensionistëve.