Gjykata Speciale në Hagë nuk i dha leje ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të merrte pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi, vendim që po konsiderohet si i pajustifikuar dhe jo human.
Një nga arsyet e këtij refuzimi mund të jetë aktakuza e dytë e ngritur ndaj Thaçit në dhjetor 2024, e cila lidhet me pengimin e drejtësisë.
Avokati Ardian Bajraktari kritikoi këtë vendim, duke theksuar se nuk ka bazë ligjore për të ndaluar Thaçin të marrë pjesë në një ngjarje kaq të rëndësishme familjare. Ai kujtoi se raste të mëparshme kanë treguar që Gjykata Speciale ka lejuar të pandehurit të marrin pjesë në ceremoni të ngjashme dhe se ata gjithmonë i kanë respektuar rregullat e vendosura.
“Vlerësoj që nuk ka absolutisht bazë për moslejimin e pjesëmarrjes, për faktin se, përveçse është një kërkesë e bazuar, edhe në të kaluarën kur kemi pasur raste të tilla, Gjykata Speciale ka lejuar vizita të ngjashme. Edhe Thaçi, edhe të tjerët i janë përmbajtur me përpikëri kritereve të vendosura nga Dhomat e Specializuara. Prandaj, një vendim i tillë nuk do të duhej të ndodhte. Në bindjen tonë, kjo është pjesë e vendimeve jo humane që kjo gjykatë ka marrë”, deklaroi Bajraktari.
Avokati kërkoi që në ditët në vijim të mundësohet pjesëmarrja e Thaçit në ceremoninë e të pamës, në mënyrë që ai të ngushëllohet me familjarët e tij.
Babai i Hashim Thaçit ndërroi jetë të dielën, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar prej kohësh. Më parë, Thaçi kishte mundur ta vizitonte të atin në Klinikën Interne të QKUK-së. Varrimi u mbajt sot në orën 15:00 në varrezat e fshatit Burojë, Skenderaj.