Përdorimi i pretenduar i pajisjes zanore kundër protestuesve, opozita në Serbi kërkon hetim


Në Serbi po shtohen thirrjet për një hetim të pavarur mbi raportet se forcat e sigurisë përdorën një armë të ndaluar zanore mbi turmat gjatë një tubimi paqësor kundër korrupsionit fundjavën e kaluar, edhe pse autoritetet e mohuan me forcë atë.

Grupet serbe të të drejtave dhe zyrtarët e opozitës pretendojnë se një armë e tillë që lëshon një rreze zanore për të paaftësuar përkohësisht njerëzit, u përdor në protestën e së shtunës, edhe pse ajo është e ndaluar në Serbi. Ata thanë se do ngrenë akuza në gjykatat ndërkombëtare dhe vendase kundër atyre që urdhëruan sulmin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi të hënën se pajisja për kontrollin e turmës ishte përdorur, duke e quajtur atë një “gënjeshtër të ligë” që synon “shkatërrimin e Serbisë”.

Ai tha se së shpejti do ftojë Byronë Federale të Hetimit të SHBA dhe gjithashtu Shërbimin Federal të Sigurisë të Rusisë, FSB, për të hetuar pretendimet.

“Është e rëndësishme që historia të shohë se si ata kanë gënjyer,” tha ai, duke iu referuar atyre që pretendojnë se është përdorur arma zanore.

Zyrtarët serbë kanë pranuar në mënyrë të tërthortë se policia rreth dy vjet më parë kishte shtuar armën e kontrollit të turmës në arsenalin e saj, por këmbëngulin se ajo nuk ishte përdorur gjatë mitingut të së shtunës, shkruan CNN.

Ish-presidenti serb Boris Tadiç tha gjithashtu se “do kërkojë ndihmë ndërkombëtare për të përcaktuar të vërtetën për ngjarjet që shkaktuan shkelje të rëndë të sigurisë publike dhe rrezikuan shëndetin dhe jetën e qytetarëve serbë në protestën e së shtunës”.

Qindra mijëra njerëz zbritën në kryeqytetin e Serbisë të shtunën për të protestuar kundër vdekjes së 15 personave në shembjen e një tende në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024. Demonstratat pothuajse të përditshme që filluan si përgjigje ndaj tragjedisë kanë tronditur pushtetin e Vuçiçit prej një dekade, me shumë që bëjnë përgjegjës korrupsionin qeveritar për ngjarjen e rëndë.

Pamjet nga mitingu tregojnë njerëzit duke qëndruar në këmbë gjatë një heshtjeje 15-minutëshe për viktimat e stacionit hekurudhor, kur një tingull i papritur shpues shkakton panik dhe një rrëmujë të shkurtër.

Shumë nga protestuesit që thanë se ishin në epiqendër të sulmit të pretenduar, u ankuan në mediat sociale për dhimbje koke të forta, të përziera dhe çorientim.

Disa ekspertë sigurie kanë pretenduar se në protestë është përdorur një pajisje akustike me rreze të gjatë (LRAD) e prodhuar në SHBA – një mjet i specializuar që lëshon zë, i aftë për të dhënë valë zanore me frekuencë të lartë në largësi të madhe. Pretendimet e tyre nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.