Rama në Berat: Në këtë qark fitojmë 5:1, kemi shansin historik për të qenë pjesë e BE-së


Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Berat, ku prezantoi kandidatët për deputetë të PS-së në këtë qark, theksoi rëndësinë e mundësisë që ka Shqipëria për t’u bashkuar me Bashkimin Europian.

Rama deklaroi se hyrja në BE nuk është një çështje partiake, por një interes i përbashkët për të gjithë qytetarët, pavarësisht ngjyrës politike.

Ai nënvizoi se ajo që ka rëndësi është angazhimi për të realizuar këtë qëllim, duke theksuar se për këtë qëllim është ndërtuar një rrjet i fortë njohjesh që mundëson hapjen e mundësive për të arritur këtë objektiv historik për vendin.

 “Kemi punuar fort për të qenë këtu ku jemi. Na është hapur një shans për të qenë pjesë e BE-së. Hyrja në BE nuk është çështje socialistësh apo demokratësh. Çdokush duhet të jetë i interesuar që ne të hyjmë në Bashkimin Europian. Nuk ka rëndësi çfarë ngjyre kam unë, rëndësi ka që unë ju çoj në BE dhe për këtë kemi ndërtuar një rrjet njohjesh të vlefshme për të hyrë ne BE.”- tha ai.

Ai theksoi se të gjithë kryetarët e bashkive duhet të jenë në dispozicion të PS-së dhe numrit 5, që është i lidhur me këtë forcë politike në fletën e votimit.

Rama u shpreh se ai e pëlqen shumë numrin 5, duke e quajtur “tamam 5 me 1” dhe duke bërë një parashikim për fitore.

 “Dua t’ju them kryetarëve të bashkive, se duhet të jenë në dispozicion të PS-së. Duhet të jenë në dispozicion të numrit 5 dhe pesa më pëlqeu shumë sepse është tamam 5 me 1.”

Përsa i përket kandidaturave, Rama theksoi se kjo është një garë për përfaqësimin e zonave dhe jo për interesat e individëve të veçantë, duke shtuar:

 “Por, ju nuk duhet të ndërhyni në garë. Këtu nuk bëhet fjalë për një deputet të një zone apo një zone tjetër. Patjetër që janë zgjedhur sipas zonave për të patur një përfaqësi.”