Vendet evropiane kursyen kolektivisht qindra miliarda euro në vit dekadat e fundit – një “dividend i paqes” i pasluftës – pasi ulën shpenzimet e mbrojtjes dhe përdorën burimet për prioritete të tjera, përfshirë mirëqenien e qytetarëve të tyre.
Ata tani përballen me një periudhë të ashpër teksa nisin një përpjekje për rimilitarizimin pasi presidenti amerikan Trump kërcënoi se do pakësonte mbështetjen e SHBA-së për kontinentin.
Ndërsa BE-ja shpenzon pak më pak se 2 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen sot, krerët evropianë po debatojnë hapur për ngritjen e shpenzimeve deri në 3.5 për qind të PBB-së ose më shumë në dekadën e ardhshme, një nivel që nuk është parë në Evropën kontinentale që nga fundi i viteve 1960.
Shpenzimet në këtë nivel ndërmjet viteve 1995 dhe 2023 do t’u kërkonin shteteve anëtare të BE-së të ndajnë 387 miliardë dollarë shtesë në vit për mbrojtjen, sipas llogaritjeve të Financial Times. Rritja për Mbretërinë e Bashkuar, e cila shpenzoi 2.3 për qind të PBB-së për mbrojtjen në vitin 2023, do kishte qenë 35 miliardë dollarë në vit gjatë të njëjtës periudhë – afërsisht e barabartë me shpenzimet vjetore publike për strehimin dhe pajisjet lokale.
Mark Zandi, kryeekonomist i Moody’s Analytics, tha se Evropa kishte shijuar një dividend paqeje në dekadat e fundit që “liroi burimet ekonomike për investimet private dhe u lejoi qeverive të rrisin mbështetjen për mirëqenien sociale dhe rrjetet e sigurisë financiare”.
Kjo kohë tani ka mbaruar dhe zgjedhjet për Evropën janë të zymta. Evropa shijoi vitet e saj të shpenzimeve të ulëta ushtarake falë një periudhe të zgjatur mbrojtjeje nga SHBA-ja, duke e lejuar atë të ndërtojë një nga sistemet më bujare të sigurimeve shoqërore në botë për një popullsi të plakur.
Në gjithë BE-në, mbrojtja sociale është rritur si pjesë e shpenzimeve të përgjithshme të qeverisë, duke u rritur nga 36.6 për qind në 1995 në 41.4 për qind në prag të pandemisë, sipas Eurostat.
Shpenzimet e qeverisë gjermane për mbrojtjen sociale, e cila përfshin shpenzimet e mirëqenies dhe pensionet, por përjashton kujdesin shëndetësor, është më shumë se dyfishi i asaj të SHBA-së në raport me PBB-në. Dallimi është edhe më i madh për Francën.
Për të ndryshuar ndjeshëm prirjen afatgjatë në shpenzimet ushtarake – e cila në raport me PBB-në u përgjysmua midis 1963 dhe 2023 në shumicën e ekonomive të mëdha evropiane, sipas të dhënave të mbledhura nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm – do kërkonte zvogëlimin e shpenzimeve ekzistuese ose huamarrje më të larta që shumë kryeqytete do e kishin vështirësi ta përballonin.
Në gjithë Evropën, përpjekjet për të frenuar shpenzimet e sigurimeve shoqërore kanë qenë kryesisht të vështira. Përpjekjet e Francës për të trajtuar shpenzimet e pensioneve kanë ndezur vazhdimisht protesta të mëdha, përfshirë në vitin 2023, kur presidenti Emmanuel Macron provoi një rritje dyvjeçare të moshës së daljes në pension që synonte të kursente rreth 18 miliardë euro në vit.
Megjithatë, tani po zhvillohet një debat për shfuqizimin e ndryshimit, nën presionin e sindikatave dhe opozitës – edhe pse ministrat diskutojnë objektivat për rritjen e buxhetit të mbrojtjes që do zvogëlonte kursimet e pensioneve.
Claus Vistesen, ekonomist në Pantheon Macroeconomics tha se hendeku në aftësi ishte i madh dhe “progresi mbetet shumë i ngadaltë”.
“Një tranzicion i gjatë, i nxituar dhe me panik na pret,” tha ai.
“Evropa nuk ka pasur forca të armatosura në gjendje të përballet me një kundërshtar të barabartë që nga vitet 1970 dhe 1980 me armatimin e ngritur për mbrojtjen gjatë Luftës së Ftohtë,” shtoi ai.
Personeli i forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar u ul me më shumë se gjysmën midis 1985 dhe 2020 në 153,000. Numri i përgjithshëm për BE u tkurr nga 3 milion në 1.9 milionë gjatë të njëjtës periudhë.
Trendi i shpenzimeve të mbrojtjes vitet e fundit ka filluar të rritet.
Në vitin 2024, shpenzimet e mbrojtjes të BE-së arritën rreth 326 miliardë euro – rreth 1.9 për qind të PBB-së së BE-së, nga 214 miliardë euro në 2021. Kjo është më e lartë se një mesatare prej rreth 150 miliardë euro në 15 vitet deri në vitin 2019, sipas Këshillit Evropian.
Por vlerësimet e rritjes së kërkuar janë të një madhësie të ndryshme, nga 160 miliardë euro në vit gjatë pesë viteve të ardhshme të vlerësuar nga Goldman Sachs në një gamë prej 230 miliardë deri në 460 miliardë euro në vit të vlerësuar nga Pantheon Macroeconomics.
Ndërsa huamarrja më e lartë mund të mbulojë disa shpenzime fillestare për vendet me hapësirë fiskale për ta bërë këtë, kostoja e riarmatimit në fund do përballohet nga taksapaguesit dhe përfituesit e sigurimeve shoqërore të kontinentit.
Guntram Ëolff, një bashkëpunëtor i lartë në Bruegel, tha se “bota e re” është ajo në të cilën Evropa i afrohet niveleve të shpenzimeve ushtarake të viteve 1980, si pjesë e PBB-së.
“Kjo sigurisht do të thotë më shumë kompromis në buxhetet publike.”
Programet e huaja të ndihmës ka të ngjarë të jenë ndër viktimat e para me Britaninë e Madhe që ka njoftuar tashmë shkurtime të mëdha – ndërsa vendime të ashpra janë përpara për buxhetet e mirëqenies. Vistesen tha se diçka e barazlvershme me taksën e “luftës” mund të jetë gjithashtu i nevojshëm.
Kancelari gjermane në pritje Friedrich Merz ka zbuluar një plan për të hequr kufizimet në huamarrjen kombëtare kur ajo përdoret për të financuar shpenzimet e mbrojtjes. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka propozuar përjashtimin e 800 miliardë eurove në huamarrje shtesë nga qeveritë e BE-së nga rregullat e bllokut për borxhet dhe deficitet.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është zotuar të shpenzojë 2.5 për qind të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2027, e financuar nga shkurtimet e ndihmës jashtë shtetit, dhe më pas do synojë një rritje të mëtejshme në 3 për qind.
Polonia tashmë ka rritur ndjeshëm shpenzimet e saj ushtarake, duke mbështetur kërkesën e Trump për vendet e NATO-s që të vendosin 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen, ndërsa caktoi 4.7 për qind këtë vit, më e larta në aleancën e udhëhequr nga SHBA-ja.
Ndërsa Gjermania ka hapësirë për të emetuar më shumë borxhe, vendet e tjera evropiane janë shumë më pak të pozicionuara. Italia, për shembull, ka parë rritje të borxhit të saj publik ndaj PBB-së nga 31 përqind në vitet 1960 në 137 përqind në 2024, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.
Franca dhe Britania e Madhe gjithashtu kanë borxh publik që tejkalon madhësinë e ekonomisë, së bashku me deficite të mëdha buxhetore. BE-ja tani shpenzon rreth 2 për qind të PBB-së për pagesat e interesit. Shifra e Italisë është dyfishi i asaj.
Ulja e shpenzimeve qeveritare për pensionet dhe kujdesin shëndetësor do jetë veçanërisht sfiduese, pasi popullsia e Evropës është më e vjetra nga çdo kontinent, që do të thotë se shpenzimet sociale do rriten dhe të ardhurat do bien ndërsa popullsia në moshë pune tkurret.
“Qeveritë ose do kenë nevojë të marrin më shumë hua, gjë që rrezikon të shqetësojë investitorët e bonove, ose të bëjnë kompensimin e shkurtimeve buxhetore, gjë që rrezikon të shqetësojë votuesit,” tha Jack Allen-Reynolds, ekonomist në Capital Economics.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani