Shtëpia e Bardhë tha të hënën se presidenti Trump, në postimin e tij në mediat sociale ku pohonte se faljet e anëtarëve të Komitetit të 6 janarit ishin “të pavlefshme” dhe “të zbrazëta”, po shtronte pyetjen nëse nënshkrimi automatik i ish-presidentit Joe Biden ishte “përdorur pa pëlqimin ose dijeninë e tij”.
Gjatë një konference për shtyp, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt iu përgjigj një pyetjeje nga Kaitlan Collins e CNN në lidhje me postimin e Trump të dielën mbrëma, në të cilën ai deklaroi se faljet janë “të pavlefshme dhe nuk kanë asnjë fuqi për faktin se ato janë bërë me Autopen”.
Leavitt tha se Trump “po shtronte pyetjen që unë mendoj se shumë gazetarë në këtë sallë duhet të bënin nëse ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, për të cilin mendoj se të gjithë mund të pajtohemi më në fund, kishte apo jo aftësinë e duhura fizike dhe mendore për detyrën”, shkruan Breitbart.
“Unë e di se njerëzve iu desh pak kohë për ta pranuar më në fund këtë, por ne të gjithë e dimë se kjo është e vërtetë, siç dëshmohet nga paraqitja e tij katastrofike në debat kundër presidentit Trump gjatë fushatës,” vijoi ajo.
“Presidenti po ngrinte pyetjen nëse presidenti Biden e dinte për këto falje, a u përdor nënshkrimi i tij ligjor pa pëlqimin ose dijeninë e tij?”
Duke cituar Neë York Post, ajo tha se “ka zyrtarë të Biden nga Shtëpia e Bardhë e mëparshme që ngritën të njëjtat pyetje dhe pyesnin veten nëse Presidenti ishte këshilluar edhe për nënshkrimin e tij ligjërisht të detyrueshëm në dokumente”.
Leavitt u bëri thirrje të gjithë gazetarëve për të hetuar këtë çështje.