BE do të përjashtojë SHBA, MB dhe Turqinë nga fondi i riarmatimit 150 miliardë euro


Kompanitë e armëve nga SHBA, Britania e Madhe dhe Turqia do të përjashtohen nga një shtysë e re e financimit të mbrojtjes 150 miliardë euro të Bashkimit Europian, përveç rastit nëse vendet e tyre të origjinës nënshkruajnë pakte të mbrojtjes dhe sigurisë me Brukselin.

Fondi i planifikuar për kapitalet, që do të shpenzohen për armë, do të jetë i hapur vetëm për kompanitë e mbrojtjes të BE-së dhe ato nga vendet e treta, që kanë nënshkruar marrëveshjet e mbrojtjes me bllokun, sipas një propozimi të Komisionit Europian.

Ai gjithashtu do të përjashtojë çdo sistem të avancuar të armëve mbi të cilin një vend i tretë ka “autoritet projektimi” – kufizime në ndërtimin ose përdorimin e komponentëve të veçantë – ose kontroll mbi përdorimin e tij.

Kjo do të përjashtonte platformën amerikane të mbrojtjes ajrore dhe raketore Patriot, e cila prodhohet nga kontraktori i mbrojtjes RTX, dhe sisteme të tjera të armëve amerikane ku Uashingtoni ka kufizime se ku mund të përdoren.

Politika është një fitore për Francën dhe vendet e tjera, që kanë kërkuar një qasje “Buy European” ndaj shtytjes së investimeve të mbrojtjes të kontinentit, mes frikës mbi besueshmërinë afatgjatë të SHBA-së, si një partner dhe furnizues i mbrojtjes, të shkaktuar nga Presidenti Donald Trump.

Të paktën 65% e kostos së produkteve do të duhet të shpenzohet në BE, Norvegji dhe Ukrainë. Pjesa e mbetur mund të shpenzohet për produkte nga vendet e treta, që kanë nënshkruar një pakt sigurie.

“Ne e kemi këtë mundësi për të ndërtuar me të vërtetë industrinë europiane të mbrojtjes,” tha Kaja Kallas, kryediplomatja e BE-së, duke shtuar se lufta në Ukrainë ka treguar rëndësinë e të pasurit armë pa kufizime të huaja. “Në krizë, ushtria duhet të ketë duart e lira.”

Mbretëria e Bashkuar ka lobuar fort për t’u përfshirë në iniciativë, veçanërisht duke pasur parasysh rolin e saj kyç në një “koalicion europian të vullnetit” (coalition of the willing), që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të kontinentit. Kompanitë e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë BAE Systems dhe Babcock International, janë thellësisht të integruara në industrinë e mbrojtjes të vendeve të BE-së si Italia dhe Suedia.

Nëse vende të treta si SHBA, MB dhe Turqia do të donin të merrnin pjesë në iniciativë, atyre do t’u duhej të nënshkruanin një partneritet të mbrojtjes dhe sigurisë me BE-në.

Bisedimet midis Londrës dhe Brukselit për një pakt të tillë kanë filluar, por janë përfshirë në kërkesat për një marrëveshje më të madhe BE-MB, që do të përfshinte gjithashtu çështje të diskutueshme si të drejtat e peshkimit dhe emigracionin.

Përjashtimi i Britanisë së Madhe dhe Turqisë do të krijojë probleme për kompanitë e mëdha europiane të mbrojtjes me lidhje të ngushta me prodhuesit ose furnizuesit në ato tregje.

Përpjekjet e mëparshme të Francës për të kufizuar shpenzimet e mbrojtjes për kompanitë e BE-së janë përballur vetëm me rezistencë të ashpër nga vende të tilla si Gjermania, Italia, Suedia dhe Holanda që kanë lidhje të ngushta me prodhuesit jashtë BE-së. Propozimi duhet të miratohet nga shumica e shteteve të BE-së.

Sipas kushteve të planit, vendet e BE-së do të jenë në gjendje të shpenzojnë 35% të kredive për produkte, që përdorin komponentë nga Norvegjia, Koreja e Jugut, Japonia, Shqipëria, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina, thanë zyrtarët. 

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.