Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Edi Rama është në ditët e tij të fundit në pushtet, duke theksuar se qytetarët po i presin biletën për ta larguar.
Berisha e konsideroi bashkimin e forcave që përfaqësojnë 26% të votave të shqiptarëve si një nga goditjet më të mëdha për Ramën, duke e lënë atë pa rrugëdalje. Ai e krahasoi situatën e kryeministrit me një figurë komike, duke përmendur përplasjet e tij politike dhe marrëdhëniet me Soros dhe Trump.
“Ndryshimi është si nata me ditën. Aleanca me ata që kanë 26% të votave të shqiptarëve është goditja e dytë më e madhe që ka marrë Edi Rama. Prerja e kokës së gjarprit Soros që detyroi Ramën të fshijë të gjitha fotot dhe detyroi Alex Sorosin ta tallë duke i ripublikuar…përpjekjet e tij, kërcënimet se do e shohësh ti nga Trump etj, e kanë shndërruar Edi Ramën në një figurë butaforike qesharake komike që tani merret, një ditë me gjumin e Lulit, ditën tjetër merret me Halit ballistin, Halit Valterin, ditën e tretë kthehet prapë te Luli a po flen apo jo dhe pastaj zhytet në kënetë, në xhungël te zhabat, te hardhucat, gjarpërinjtë.
A mund t’i thuash kryeministër këtij, ky është i pakallur dhe do marrë atë që meriton. Edi Rama ka marrë fund! Qytetarët po i presin biletën atij”, tha ai.