Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Vilma Nushi dhe Tom Doshi do të humbasin çdo licencë dhe do të përballen me ndëshkime për hedhjen në treg të ilaçeve jocilësore, nëse PD fiton zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Berisha u zotua se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, tregu farmaceutik do të ofrojë vetëm ilaçe cilësore dhe do të miratohet një ligj që ndalon shitjen e barnave që nuk qarkullojnë të paktën në dy vende të Bashkimit Europian.
“Qytetarët shqiptarë do të marrin ilaçe me cilësinë më të lartë. Kostoja e rimbursimit do të mbulohet plotësisht nga qeveria, ndërsa Vilma Nushi dhe Tom Doshi do të humbasin çdo licencë dhe do të ndëshkohen për shitjen e ilaçeve jashtë standardeve,” deklaroi Berisha.
Në përgjigje të këtyre akuzave, Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar ashpër, duke e cilësuar Berishën si një “gënjeshtar profesionist”. Në një deklaratë për mediat, PSD e akuzoi liderin demokrat se ka shpifur gjatë gjithë karrierës së tij politike dhe se qytetarët, veçanërisht shkodranët, e njohin mirë figurën e Tom Doshit.
“E kanë kuptuar dhe e kanë besuar çdo vit e më shumë. Tom Doshi ka qenë pranë qytetarëve me dhe pa pushtet, ka ndihmuar mijëra njerëz në hall pa kërkuar asgjë në këmbim. Në 11 maj, qytetarët do të zgjedhin burrat e fjalës, jo gënjeshtarët,” thuhet në reagimin e PSD.
Në fund të deklaratës, PSD i kujton Berishës se ka “hesape të tjera për të larë” me shqiptarët, duke nënkuptuar akuzat dhe çështjet që ai ka pasur ndër vite.