Për vitin 2024 janë shpenzuar 12,1 miliardë lekë apo rreth 123 milionë euro për rimbursimin e barnave të listës dhe të fishave të diabetit.
Totali i shpenzimeve të 2024-s për rimbursimin e barnave dhe për fishat e të sëmurëve kronikë me diabet është i njëjtë me 2023.
Rritje shpenzimesh është shënuar vetëm për rimbursimin e fishave për matjen e vlerave të sheqerit te të sëmurët kronikë me diabet, pas shtimit të kategorive përfituese me hyrjen në fuqi në muajin korrik 2024 të vendimit “Për një ndryshim të vendimit nr.61 datë 3.02.2017 të Këshillit të Ministrave për miratimin e paketave të pajisjeve mjekësore të rimbursueshme”, të ndryshuar.
Ndërsa fondi i shpenzuar për barnat e listës së rimbursueshme është i njëjtë me 2023-n.
Të dhënat lidhur me trajtimin e pacientëve me barna të listës së rimbursueshme janë publikuar në raportin e Monitorimit të Ministrisë së shëndetësisë për realizimin e treguesve për vitin 2024.
Për rimbursimin e barnave të listës janë paguar 11,9 miliardë lekë. Fondi i shpenzuar është pothuajse në të njëjtat vlera të 2023-it. Sipas të dhënave të raportit, për vitin 2024 kanë përfituar nga lista e barnave të rimbursueshme 385,075, apo rreth 0,7% më tepër se në 2023-n. Me një kosto prej 7,536 lekë/pacientë.
Për 2025 nga 1 Marsi hyri në fuqi lista e barnave të rimbursueshme e miratuar nga Këshilli i Ministrave, por pa ndryshime me listën e 2024-s.
Për sa i përket rimbursimit të fishave të diabetit kanë përfituar rreth 4% pacientë më shumë se në 2023. Rritja e tyre ka ardhur pas hyrjes në fuqi në muajin korrik të 2024-s të VKM n.492, datë 24.07.2024 për shtimin e kategorive përfituese të fishave për matjen e normave të diabetit, si invalidëve të punës dhe personave me aftësi të kufizuara të grupmoshës nga 25 deri 65 vjeç.
Përveç personave me Diabet Mellitus të grupmoshës 0-25 vjeç dhe ≥ 65 vjeç, shtimi i kategorive përfituese në 2024 solli rritje të shpenzimeve për rimbursimin e fishave të diabetit. Për rimbursimin e fishave të diabetit janë paguar 147,2 milionë lekë kundrejt 110,5 milionë lekëve të shpenzuara në 2023. Në 2024 shpenzimet për fishat e të sëmurëve kronikë me diabet janë rritur 33% në raport me vitin paraardhës.
Gjatë vitit 2024 kanë përfituar nga fishat e diabetit 57,511 pacientë apo rreth 4% më shumë nga viti 2023.
Në pagesat e periudhës për vitin 2023 është përfshirë edhe likuidimi i detyrimit (barna dhe fisha) nga viti 2022 për vlerën 727 milionë lekë, nga të cilat 726,5 milionë lekë rimbursim barna dhe 438 mijë lekë rimbursim fisha diabeti.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.