Lëvizja BASHKË ka zyrtarizuar kandidaturën e Elis Babës për qarkun e Fierit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lajmi është bërë i ditur nga kreu i kësaj lëvizjeje, Arlind Qori, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka vlerësuar angazhimin dhe kontributin e Babës në politikë dhe në zhvillimin urbanistik të qytetit të Fierit.
Sipas Qorit, Elis Baba është një arkitekt dhe një nga profesionistët e rinj të angazhuar për të mirën e vendit. Ai është zgjedhur përgjegjës i bazës së Lëvizjes BASHKË në Fier dhe është një aktivist i palodhur në këtë qytet e më gjerë. Qori ka theksuar se Baba është një intelektual me ide të qarta për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe një bashkëbisedues i përkushtuar për çështjet politike dhe urbanistike.
Në postimin e tij, Arlind Qori ka kujtuar takimin e parë me Elis Babën pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023 në një mbledhje të anëtarësisë së BASHKË në Fier. Aty Baba shfaqi shqetësimin për mungesën e demokracisë së brendshme në partitë politike shqiptare dhe mënyrën se si pushteti i pakufizuar i kryetarëve çon në klientelizëm dhe korrupsion.
Së fundmi, Baba dhe Qori janë parë së bashku në tregun e Roskovecit, ku kanë biseduar me qytetarët për problematikat e vendit. Kandidatura e Babës shihet si një përfaqësim i kapaciteteve intelektuale dhe i një modeli ndryshe politik, me fokus në transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare.