Gjatë fjalës së saj në Senatin Italian, kryeministrja Giorgia Meloni vlerësoi nismën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për t’i hapur rrugë, në samitin e liderëve evropianë këtë fundjavë në Bruksel, adoptimit të modelit italo-shqiptar për ngritjen e qendrave të menaxhimit të azilkërkuesve jashtë BE-së.
Duke iu referuar protokollit me Shqipërinë, Meloni theksoi se zbatimi i tij është pezulluar për shkak të shqyrtimit nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, por shtoi se shumica e vendeve anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian mbështesin qeverinë italiane në këtë çështje.
Ajo nënvizoi se pa nismën e Italisë për këtë protokoll me Shqipërinë, propozimi i von der Leyen për krijimin e qendrave të pritjes në vende të treta nuk do të ishte në tryezën e diskutimeve. Sipas Melonit, kjo është një zgjidhje inovative për përballimin e flukseve migratore, të cilën Italia e ka promovuar brenda BE-së.
Gjithashtu, kryeministrja italiane shprehu mbështetjen e Italisë për reformën e kuadrit legjislativ evropian mbi riatdhesimet, duke propozuar kalimin nga një Direktivë në një Rregullore të zbatueshme drejtpërdrejt në të gjitha shtetet anëtare. Ajo theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi për të unifikuar praktikat e vendeve të BE-së dhe për të forcuar mekanizmat e riatdhesimit të emigrantëve të paligjshëm.