Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anusiç, iu përgjigj deklaratave të Ministrisë së Jashtme serbe, e cila shprehu shqetësimin e saj për aleancën ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke kërkuar shpjegime mbi formimin e saj.
Anusiç theksoi se Kroacia nuk ka asnjë detyrim për t’i dhënë shpjegime Serbisë, duke shtuar se “koha kur ata pyesnin Beogradin për veprimet e tyre ka kaluar”. Ai nënvizoi gjithashtu se Shqipëria është një aleate e Kroacisë në NATO dhe Kosova një vend mik që Zagrebi e ka njohur zyrtarisht.
Ministri kroat njoftoi se në të ardhmen edhe vende të tjera mund t’i bashkohen kësaj aleance. Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës u firmos në Tiranë, ndërsa ka spekulime se shtete të tjera të rajonit mund të bëhen pjesë e saj.