Turqia arrestoi kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu, rivalin kryesor të presidentit Erdogan, me akuzat për korrupsion dhe lidhje me një grup terrorist në atë që partia kryesore opozitare e quajti të mërkurën “një grusht shteti kundër presidentit tonë të ardhshëm”.
Monedha turke lira ra deri në 12% në nivelin më të ulët historik pas ngjarjeve të fundit, duke nënvizuar shqetësimet për gërryerjen e shtetit ligjor në tregun kryesor në zhvillim dhe në vendin anëtar të NATO-s që Erdogan ka drejtuar prej 22 vitesh, shkruan Reuters.
Imamoglu, 54 vjeç, i cili kryeson ndaj Erdoganit në disa sondazhe opinioni, pritej të emërohej kandidati zyrtar presidencial i Partisë Republikane Popullore (CHP) brenda disa ditësh. Ai tani përballet me dy hetime të veçanta që përfshijnë gjithashtu akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim tenderash.
Megjithëse autoritetet ndaluan përkohësisht protestat dhe policia mbylli disa rrugë të qytetit, rreth 100 vetë u mblodhën në stacionin e policisë ku u dërgua Imamoglu dhe brohoritën: “Do të vijë dita kur AKP-së do t’i kërkohet llogari”.
Kreu i CHP-së, Ozgur Ozel, kërkoi bashkimin e opozitës dhe tha se partia e tij do vijojë ta emërojë Imamoglun si kandidat presidencial të dielën, pavarësisht asaj që ka ndodhur.
“Turqia po kalon një grusht shteti kundër Presidentit të ardhshëm. Ne po përballemi me një përpjekje për grusht shteti këtu,” tha Ozel.
Në një video të postuar në mediat sociale ndërsa përgatitej të largohej nga shtëpia e tij drejt paraburgimit të mërkurën në mëngjes, Imamoglu tha se nuk do dorëzohej dhe do t’i rezistonte presionit.
Zgjedhjet e ardhshme janë caktuar për vitin 2028, por Erdogan ka arritur kufirin e tij prej dy mandatesh si president, pasi më parë kishte shërbyer si kryeministër. Nëse ai dëshiron të kandidojë përsëri, ai duhet të thërrasë zgjedhje të parakohshme përpara përfundimit të mandatit të tij, ose të ndryshojë kushtetutën.
Erdogan u përball me humbjen e tij më të keqe elektorale në zgjedhjet komunale mbarëkombëtare vitin e kaluar, kur CHP e Imamoglu fituan qytetet kryesore të Turqisë.