Rama: Nuk njihet më Tirana, ndryshimi është i pabesueshëm


Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi sot një takim në Njësinë Nr. 4 në Tiranë, ku u ndal te investimet dhe procesi i rindërtimit në zonën e ‘5 Majit’.

Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi hapjen e një fondi ekstra për familjet që kanë bërë gabime në aplikimin për strehim, duke theksuar angazhimin e qeverisë për të siguruar mbështetje për këtë kategori. Ai foli edhe për transformimin e kryeqytetit, duke e cilësuar ndryshimin e Tiranës si të pabesueshëm, sidomos në lagjet që më parë përballeshin me infrastrukturë të dobët.

Kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria do të investojë në strehimin e studentëve dhe profesionistëve, duke ndërtuar lagje të reja me parqe dhe hapësira moderne.

Gjatë takimit me të rinjtë e njësisë, Rama iu referua edhe debatit mbi TikTok-un, duke ironizuar protestën e organizuar nga Sali Berisha, të cilin e quajti “bufi i kënetës”, ndërsa paralajmëroi se aksesi në platformë mund të vështirësohet më tej.