Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, Tiranë, ku 4 të rinj kanë humbur jetën pas përplasjes së automjetit të tyre me një betoniere.
Bëhet fjalë për Enejd Laçin, Erild Laçi (vëllezër), Enrikejd Kurti dhe Andi Laçi.
Ndërkohë shoferi i betonieres është Aleksandër Krrashi.
Sipas policisë, automjeti i drejtuar nga Erild Laçi, 20 vjeç, u përplas me një betoniere të drejtuar nga Aleksandër Krrashi, i cili u largua nga vendi i ngjarjes pas aksidentit. Përplasja ishte fatale, pasi automjeti mori flakë, duke shkaktuar vdekjen e drejtuesit dhe tre pasagjerëve: 25-vjeçari Enejd Laçi, Enrikejd Kurti 24 vjec dhe Andi Laçi, 22 vjeç.
Burime bëjnë me dije se ata kishin pritur në Rinas, Enejd Laçin, i cili kthehej nga Gjermania. Sapo kanë lënë aeroportin dhe janë nisur për në banesat e tyre u ka prerë rrugën betonierja, duke shkaktuar goditjen fatale për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizte makina Mercedes Benz ku udhëtonin 4 të rinjtë.
Njoftimi:
Tiranë/Informacion paraprak.
Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në Fushë-Prezë, nga shërbimi i qarkullimit rrugor është konstatuar një automjet i cili kishte marrë flakë dhe para tij qëndronte një automjet betoniere.
Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi A. K., 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit E. L., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij E. L., 20 vjeç, E. K., 24 vjeç dhe A. L., 22 vjeç.
Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi A. K, 24 vjeç.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet me qëllimin dokumentimin e plotë të ngjarjes.