Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kalibri”, Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë shtetasin H. K., 29 vjeç, banues në qytet, i cili u kap duke mbajtur një armë zjarri pa leje në banesën e tij.
Gjatë kontrollit, forcat e rendit sekuestruan një pistoletë me municion luftarak.
Njoftimi:
Durrës/Goditje të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kalibri”.
Mbante armë zjarri, pa leje, në banesë, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të aksioneve të Policisë, kundër armëmbajtjes pa leje, të bazuara te kontrollet intensive dhe te puna e inteligjencës policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin “Kalibri”. Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi H. K., 29 vjeç, banues në Durrës.
Nga kontrolli në banesën e tij, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që e mbante pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.