Bashkimi Evropian (BE) shtyu vendosjen e tarifave ndaj mallrave amerikane, të planifikuara si hakmarrje ndaj taksave të administratës Trump për çelikun dhe aluminin, deri në mes të prillit, raporton DW.
Tarifat fillimisht duhej të hynin në fuqi më 1 prill, por BE vendosi të japë edhe dy javë kohë për dialog, pavarësisht se detyrimet e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump tashmë ishin zbatuar.
Një grup i dytë tarifash që synon mallrat industriale dhe bujqësore amerikane është gjithashtu i planifikuar.
Sipas Komisionerit të Tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic, vendimi u mor për të “gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte deklaruar më herët se ishte përgjegjësi e BE-së të mbronte konsumatorët dhe bizneset brenda bllokut.
Blloku me 27 vende anëtare ishte gati të rikthente tarifat për xhinset, bourbon-in, motorët dhe gjalpin e kikirikut, tarifa që datojnë që nga mandati i parë i Trump si president i SHBA-së.
A preken bourboni, motorët dhe gjalpi i kikirikut?
Veprimi i BE-së synonte të godiste shtetet amerikane të kontrolluara nga Partia Republikane e Trumpit, si dhe mallra që BE-ja mendonte se do të dëmtonin bizneset amerikane aq sa presidenti amerikan të tërhiqte tarifat ndaj mallrave evropiane.
Franca, Spanja dhe Italia i kërkuan Komisionit Evropian të shtynte masat. Bourboni mund të hiqet nga lista e mallrave të synuara. Kjo vjen pasi Trump kërcënoi me tarifa 200% ndaj verërave dhe pijeve alkoolike evropiane.
Trump mund të vendosë më shumë tarifa ndaj BE-së më 2 prill, megjithëse administrata e tij ende nuk ka publikuar detajet e plota.