Indonezia miraton ligjin që zgjeron rolin e ushtrisë në qeveri, studentët paralajmërojnë protesta


Parlamenti i Indonezisë miratoi të enjten ndryshime të diskutueshme në ligjin ushtarak, duke zgjeruar rolin e ushtrisë në sektorët civilë. Këto ndryshime kanë nxitur shqetësime nga grupet e shoqërisë civile, të cilat paralajmërojnë se ato mund ta rikthejnë vendin në epokën autoritare të ish-presidentit Suharto, kur ushtria kishte një ndikim të gjerë në qeverisje.

Votimi u drejtua nga kryetarja e parlamentit, Puan Maharani, e cila e cilësoi ligjin të përputhshëm me parimet demokratike dhe të drejtave të njeriut. Ndërkohë, presidenti Prabowo Subianto, ish-komandant i forcave speciale nën Suharto, ka zgjeruar përfshirjen e ushtrisë në projekte civile, përfshirë programin e tij të shpërndarjes së vakteve falas për fëmijët.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime se rritja e rolit ushtarak në administratë mund të çojë në abuzim të pushtetit dhe mungesë llogaridhënieje. Megjithatë, qeveria ka sqaruar se oficerët e ushtrisë do të duhet të japin dorëheqjen përpara se të marrin poste civile dhe nuk do të lejohen të përfshihen në kompani shtetërore, për të shmangur ndikimin e ushtrisë në sektorin e biznesit.

Grupet demokratike dhe studentët kanë paralajmëruar protesta përpara ndërtesës së parlamentit në Xhakartë, kundër ndryshimeve të miratuara në ligjin ushtarak.

Disa studentë kishin kampuar pranë hyrjes së pasme të parlamentit që nga mbrëmja e së mërkurës, duke kërkuar tërheqjen e personelit ushtarak nga punët civile. Megjithatë, policia ndërhyri dhe u përpoq t’i largonte ata, por protestuesit refuzuan të largoheshin, tha një prej tyre për Reuters, duke kërkuar të mbetej anonim. Në momentin e miratimit të ligjit, pranë parlamentit ndodheshin vetëm disa dhjetëra protestues.

Për të garantuar sigurinë, në ndërtesën e parlamentit u dislokuan edhe forca ushtarake për të ndihmuar policinë.

Ministrja e Mbrojtjes, Sjafrie Sjamsoeddin, mbrojti ndryshimet ligjore, duke argumentuar se transformimi i ushtrisë është i nevojshëm për t’u përballur me sfida të reja në fushën e sigurisë dhe teknologjisë globale.

“Ne kurrë nuk do t’i zhgënjejmë indonezianët në ruajtjen e sovranitetit tonë,” tha ajo, pa dhënë detaje të specifikuara mbi kërcënimet gjeopolitike që e kanë diktuar këtë ndryshim./CNN