Katër shtetas kanadezë, të cilët ishin gjithashtu qytetarë të një vendi tjetër, janë ekzekutuar në Kinë për krime të lidhura me drogën në fillim të këtij viti, ka konfirmuar qeveria kanadeze.
Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Mélanie Joly, tha se identitetet e tyre nuk do të bëhen publike.
Ajo theksoi se qeveria kanadeze kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndaluar ekzekutimet.
Ambasada kineze në Kanada reagoi duke bërë thirrje që të ndalohen “deklaratat e papërgjegjshme”, ndërsa analistët shprehën shqetësime për një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat kanë qenë të tensionuara prej vitesh, sipas BBC.
Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi të enjten se ekzekutimet ishin kryer “në përputhje me ligjin”, ndërsa ambasada kineze theksoi se kishte “prova të qarta dhe të mjaftueshme” për fajësinë e të ekzekutuarve.
“Autoritetet kineze u kanë garantuar plotësisht të drejtat dhe interesat qytetarëve kanadezë të përfshirë,” tha ambasada, duke i kërkuar Kanadasë të respektojë “sovranitetin gjyqësor të Kinës”.
Kina nuk e njeh shtetësinë e dyfishtë dhe ka një qëndrim të ashpër ndaj krimeve të lidhura me drogën. Megjithatë, është e rrallë që dënimi me vdekje të ekzekutohet ndaj të huajve.
Ministrja Joly deklaroi se kishte ndjekur nga afër këto raste për muaj të tërë dhe se, së bashku me zyrtarë të tjerë, përfshirë ish-kryeministrin Justin Trudeau, kishin bërë përpjekje për të parandaluar ekzekutimet.
Në një deklaratë për mediat kanadeze, zëdhënësja e Global Affairs Canada, Charlotte MacLeod, tha se Kanadaja kishte “kërkuar në mënyrë të përsëritur falje për këta individë në nivelet më të larta dhe mbetet e palëkundur në kundërshtimin e saj ndaj përdorimit të dënimit me vdekje në të gjitha rastet, kudo”.
Kina zbaton dënimin me vdekje për krime të rënda, përfshirë ato të lidhura me drogën, korrupsionin dhe spiunazhin.
Edhe pse numri i ekzekutimeve mbahet sekret, organizatat për të drejtat e njeriut besojnë se Kina ka një nga normat më të larta të ekzekutimeve në botë.
Marrëdhëniet mes Kanadasë dhe Kinës kanë qenë të tensionuara që nga viti 2018, kur Kanadaja arrestoi ekzekutiven e kompanisë kineze të telekomunikacionit Huawei, Meng Wanzhou, pas një kërkese për ekstradim nga SHBA. Si kundërpërgjigje, Kina arrestoi dy kanadezë, të cilët u liruan më vonë.
Në vitin 2023, raportime të mediave kanadeze, të bazuara kryesisht në inteligjencë të rrjedhur, akuzuan Kinën për ndërhyrje në zgjedhjet federale kanadeze – akuza të cilat Pekini i mohoi, duke i quajtur “të pabaza dhe shpifëse”.
Së fundmi, Kina vendosi tarifa hakmarrëse ndaj disa importeve bujqësore dhe ushqimore nga Kanadaja, pasi qeveria kanadeze vendosi taksa mbi makinat elektrike kineze, çelikun dhe aluminin.