Kreditë e buta: Kriteret dhe dokumentacioni që duhet të plotësojë administrata për aplikim


Prej 11 Marsit 2025 kanë nisur aplikimet për përfitim të kredisë së butë me 0% interes për punonjësit e administratës. Për vitin 2025 do të jenë 530 punonjës së administratës publike që do të trajtohen me kredi të lehtësuar me interes 0%. Aplikimet do të zgjasin 30 ditë.

Nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është publikuar udhëzuesi për kriteret që duhet të plotësojnë aplikuesit, si dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë. Në udhëzuesin e ministrisë së Ekonomisë përcaktohet se aplikimet do të kryhen nga e-Albania.

Kriteri kryesor që duhet të zbatohet prej aplikuesve është që të mos kenë në pronësi të tyre apo të familjarëve pasuri të paluajtshme. Në dokumentacion kërkohet dorëzimi për vërtetimin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që aplikuesi dhe anëtarët e familjes nuk kanë pasuri të paluajtshme të regjistruar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Udhëzuesi gjithashtu përcakton se punonjësi, përfitues i administratës publike, që nuk ka gjetur banesën brenda afatit 1-vjeçar (njëvjeçar) nga dita e publikimit të listës fituese apo kur nuk është kualifikuar nga institucioni financiar si i përshtatshëm për të lidhur kontratën e kredisë, humb të drejtën e përfitimit të kredisë së lehtësuar.

Punonjësit e administratës publike që do të përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0% do të përzgjidhen nëpërmjet sistemit të pikëzimit sipas vendimit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit “Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të punësuarve përfitues në administratën publike, për vitin 2025”.

Në sistemin e pikëzimit përcaktohet se për t’u trajtuar me kredi të butë do të jenë ata punonjës që nuk disponojnë banesë në pronësi; banon në një banesë të mbipopulluar, sipas përcaktimeve dhe normave në fuqi; punonjës që ka humbur banesën, si pasojë e zhvendosjes ose e zbatimit të një vendimi gjyqësor; punonjës që banon në banesë që do të prishet, pasi përjashtohet nga procesi i legalizimit, si rezultat i investimeve publike, si dhe nuk përfiton një banesë tjetër.

Ndërsa kushtet sociale përfshijnë punonjësit, të cilët kanë jo më pak se dy vjet të punësuar në administratën publike, në momentin e aplikimit dhe punonjësit, të cilët kanë jo më pak se shtatë vjet të punësuar në administratën publike, në momentin e aplikimit.

Për punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes në plotësimin e kushteve sociale përcaktohen se do të përfshihen edhe punonjës, që i përket kategorisë “familje e re”, në kuptim të ligjit nr. 22/2018, të ndryshuar; punonjësit, të cilët kanë jo më pak se dy vjet të punësuar në administratën publike në momentin e aplikimit dhe punonjësit, të cilët kanë jo më pak se pesë vjet të punësuar në administratën publike në momentin e aplikimit.

Përfitues të kredive të buta do të jenë, 90 prej tyre nga, Ministria e Brendshme; 90 kuota, Ministria e Arsimit dhe Sportit; 80 kuota, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për mjekë dhe infermierë; 30 kuota, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; d) 30 kuota, Ministria e Mbrojtjes; 30 kuota, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; e) 30 kuota, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë; ë) 30 kuota, Ministria e Drejtësisë; 30 kuota, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme; 30 kuota, Ministria e Financave; 30 kuota, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; h) 30 kuota, Kryeministria”, thuhet në vendim.  

Udhëzuesi i Ministrisë së Ekonomisë

Kush mund të aplikojë?

Programi i kredisë së lehtësuar për administratën publike për blerje banese është për ata të punësuar në një nga institucionet e administratës publike, sipas përkufizimeve të dhëna në pikat 55, 56 dhe 57, të nenit 2, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar. Pra, që mbajnë statusin e nënpunësit civil, apo kanë kontratë pune pa afat të përcaktuar.

Kriteret kryesore:

  1. Të mos ketë banesë në emër të tij dhe anëtarëve të familjes së tij sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es, sipas pikës 15/1, të nenit 2, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, apo banesë në proces regjistrimi e legalizimi ose të ketë banesë në pronësi me sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, sipas vendimit nr. 301, datë 15.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për normat e strehimit, si dhe kushtet e standardet për banesat sociale me qira që blihen në treg dhe banesat me kosto të ulët”;
  2. Të mos ketë në emër të tij/saj dhe anëtareve të familjes së tij sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es, sipas pikës 15/1, të nenit 2, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, pasuri të paluajtshme në pronësi, me vlerë mbi 1/2 e shumës së vlerës përkatëse të banesës, për të cilin do të përfitojë kredi të lehtësuar nga buxheti i shtetit, sipas këtij vendimi;
  3. Të mos ketë në emër të tij/saj dhe anëtarëve të familjes së tij sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es, sipas pikës 15/1, të nenit 2, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, pasuri të luajtshme në pronësi, me vlerë mbi 1/2 e shumës së vlerës përkatëse të banesës, për të cilin do të përfitojë kredi të lehtësuar nga buxheti i shtetit, sipas këtij vendimi;
  4. Të mos jetë aktualisht përfitues nga programet e strehimit social, ai/ajo vetë ose anëtarët të familjes së tij, sipas certifikatës familjare, si dhe të bashkëjetuesit/es, sipas pikës 15/1, të nenit 2, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar.

Cilat janë dokumentet që kërkohen?

Kërkesa bëhet në portalin e-Albania dhe shoqërohet me dokumentacionin, si më poshtë vijon:

  1. Certifikatën familjare të kërkuesit të administratës publike;
  2. Vërtetimin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në emër të tij/saj dhe anëtarëve të familjes së tij, sipas certifikatës familjare (përfshirë dhe fëmijët), si dhe të bashkëjetuesit/es (me noter), që nuk ka pasuri të paluajtshme të regjistruar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
  3. Vetëdeklarim qe nuk ka pasuri të paluajtshme në proces regjistrimi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
  4. Kopjen e certifikatës së pronësisë për banesën që ka në pronësi nën normat e strehimit, së bashku me rivlerësimin e banesës, nëse disponon;
  5. Vetëdeklarimin nga i punësuari në administratën publike për gjendjen e pasurisë së luajtshme dhe që nuk është përfitues nga programet e strehimit social, në emër të tij/saj dhe anëtarëve të familjes së tij sipas certifikatës familjare, si dhe të/ bashkëjetuesit/es;
  6. Vetëdeklarim që nuk ka detyrim/kredi të pashlyer ndaj sistemit bankar; Deklaratën personale të kërkuesit, i cili njeh dhe pranon kushtin për konvertimin e kredisë lehtësuese në kredi tregtare, në rast se largohet nga marrëdhënia me administratën publike.

Kush i përzgjedh punonjësit fitues?  

  1. Shqyrtimi i kërkesave bëhet nga struktura përgjegjëse e ngritur me urdhër të titullarit përgjegjës të institucionit.
  2. Struktura përgjegjëse shqyrton kërkesën e paraqitur brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e përfundimit të paraqitjes së kërkesave.
  3. Kur kërkesa ka mangësi, struktura i cakton kërkuesit një afat 5-ditor (pesëditor) për plotësimin e saj. Në rast mosplotësimi të mangësive brenda këtij afati, kërkesa i kthehet kërkuesit nëpërmjet portalit “e-Albania”.
  4. Struktura përgjegjëse përgatit listën paraprake të përfituesve dhe njofton kërkuesit fitues ose jofitues, nëpërmjet portalit “e-Albania”.
  5. Kërkuesit kanë të drejtën e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve pune nga njoftimi, sipas pikës 7, pranë ministrisë që ka në fushën e përgjegjësisë institucionin, ku është paraqitur kërkesa.
  6. Pas përfundimit të afatit për paraqitjen e ankimit dhe shqyrtimin e ankimeve të paraqitura, titullari i institucionit të administratës publike përgatit listën e përfituesve dhe ia përcjell për miratim ministrit përgjegjës që mbulon institucionin ose Kryeministrisë.
  7. Institucionet përgjegjëse, pas miratimit të listës nga ministri përgjegjës që mbulon institucionin ose Kryeministria, publikojnë listën e përfituesve në portalin “e-Albania” dhe në faqen zyrtare të tyre.
  8. Lista përfundimtare e përfituesve përcillet me shkrim pranë Entit Kombëtar të Banesave nga ministria përgjegjëse ose Kryeministria. Enti Kombëtar i Banesave përcjell pranë bankave të nivelit të dytë në vend listat e miratuara nga institucionet dhe një kopje të tyre pranë ministrisë përgjegjëse për strehimin.
  9. Punonjësi, përfitues i administratës publike, që nuk ka gjetur banesën brenda afatit 1-vjeçar (njëvjeçar) nga dita e publikimit të listës fituese apo kur nuk është kualifikuar nga institucioni financiar si i përshtatshëm për të lidhur kontratën e kredisë, humb të drejtën e përfitimit të kredisë së lehtësuar. Struktura përgjegjëse i jep këtë të drejtë kërkuesit në listën paraprake, sipas numrit rendor, referuar sistemit të pikëzim.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.