“Më 11 maj vota është gjeopolitike për të ardhmen e Shqipërisë në BE” – Rama


Kryeministri Edi Rama zhvilloi një komunikim me ndjekësit virtualë në rubrikën “Sy m’sy”, ku u shpreh mbi rëndësinë e votës së 11 majit, duke e cilësuar atë si një “votë gjeopolitike” për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama theksoi se anëtarësimi në BE është një mundësi e artë për vendin, duke e lidhur këtë proces me aspiratat historike të shqiptarëve për të qenë pjesë e Europës.

Ai përmendi periudha të ndryshme të historisë, si kohën e Skënderbeut, Rilindjes Kombëtare, Luftës së Dytë Botërore dhe pas rënies së komunizmit, ku Shqipëria gjithmonë ka kërkuar të jetë pjesë e Europës.

“Më 11 maj është një votë gjeopolitike, e shikoni se çfarë situate komplekse është Europa dhe Bota dhe futja në atë familje evropiane është çështje ezistenciale, s’mund të rrimë jashtë, s’mund të jemi delja që e ha ujku, aty duhet të rrimë, aty e kemi vendin, aty kanë dashur ta shohin të parët tanë që në kohën e Skënderbeut kur s’kishte BE por kishte Europë, në kohën e Rilindasve kur s’kishte BE, por kishte Europë kur Naim Frashëri thoshte dielli lind në Perëndim, kur mbaroi lufta botërore Europa ishte aty, por s’kishte BE, edhe kur ra komunizmi Europa ishte aty dhe e kërkuam. Ndaj më 11 maj të votojmë për hyrjen në Bashkimin Evropian, ka arsye politike por ka dhe arsye personale”, tha Rama.