“Nuk është censurë, por mbrojtje”- Rama për mbylljen e TikTok-ut


Në komunikimin e tij të sotëm me qytetarët në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri Edi Rama u ndal tek mbyllja e aplikacionit TikTok dhe theksoi se asnjë prind që mori pjesë në konsultimet me 65 mijë prindër dhe mësues nuk e vendosi tifozllëkun partiak përpara interesit të fëmijëve. Rama theksoi se 95% e prindërve ishin dakord për mbylljen e aplikacionit, duke e konsideruar këtë si një hap të domosdoshëm për mbrojtjen e fëmijëve.

“Kur ne bëmë këshillimin e gjerë me 65 mijë prindër dhe mësues 95 përqind e tyre thanë të mbyllet. Një pjesë e mirë e tyre nuk votojnë për ne,. një pjesë janë ende nën efektin e kënetës, por kur vjen puna tek fëmijët nuk panë asgjë, sepse interesin e fëmijëve e vunë përpara tifozllëkut partiak. Ky është 11 maji. Nuk ka rëndësi e do apo jo Edi Ramën, interesi i Shqipërisë është më i madh.
Nuk ka pasur Shqipëria një udhëheqës tjetër që në telefonin e tij ka liderët e Europës. Por kjo është një histori për libra më vonë.
PS nuk diskutohet që do të fitojë, por do të marrë një mandat të fortë që mos të ketë lëkundje, mos t’i dalë njeri përpara Bashkimit Europian dhe integrimit”, tha ai.

Ai gjithashtu nuk ka kursyer batutat ndaj kreut të PD, Sali Berishës, duke e quajtur atë “buf të kënetës”, dhe kërkoi që qytetarët të kontribuojnë për të “tharë kënetën” e ndikimeve të dëmshme.

“Nuk është censurë, por mbrojtje. Nuk është çmenduri por gjëja më e shëndetshme. Ne nuk e kemi mbyllur njëherë e mirë, por po e mbyllim përkohësisht dhe presim nga kompania një plan për filtrat që do të vendosen për të siguruar fëmijët, për të minimizuar bullizmat, për të futur gjuhën shqipe, për të stimuluar me algoritëm programet e reja për shkencën, matematikën etj dhe normalisht për argëtim
Mos dëgjo bufin do hysh në histori kështu e ashtu. Bufi të rrotullohet nga të dojë në histori e ka vendosur veten në një piedestal me kallama, buf kënete. Mos dëgjo bufin, mos i shko mbrapa bufit se të ha. Por kontribuo për të tharë kënetën”, tha ai.