Scholz: Europa duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën pavarësisht negociatave mes SHBA-Rusi


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po zhvillon një takim me kryeministrin e Norvegjisë dhe pritet të dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp pas bisedimeve. 

Ndërkohë, kancelari në largim i Gjermanisë, Olaf Scholz, deklaroi se Europa duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën pavarësisht negociatave mes SHBA-së dhe Rusisë.

Scholz bëri këto komente përpara një samiti të Bashkimit Evropian, duke theksuar se mbështetja për Kievin mbetet një prioritet strategjik, sipas BBC.

Në Londër, liderë ushtarakë nga rreth 20 vende po marrin pjesë në një takim të organizuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, i njohur si “koalicioni i të gatshmëve”, për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën. 

Situata në terren vijon të jetë e tensionuar. Dy persona u vranë nga sulmet ajrore ruse në Ukrainë, me Zelenskyn që akuzoi Moskën se po demonstron hapur “qëndrimin e saj të vërtetë ndaj paqes”. 

Nga ana tjetër, në Rusi, një bazë ajrore në Saratov është përfshirë nga flakët pas sulmeve me dron të Ukrainës gjatë natës. Autoritetet ruse raportojnë për 10 të plagosur dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas disa shpërthimeve dytësore në zonë. 

Ndërkohë, numri i viktimave të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet i vështirë për t’u përcaktuar saktësisht, ndërsa analizat mbi këtë çështje vazhdojnë.