Sejko: Përfshirja financiare është rritur, 78% e shqiptarëve kanë llogari pagese


Në dekadën e fundit, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara në drejtim të përfshirjes financiare dhe dixhitalizimit të shërbimeve.

Në fjalën e tij në forumin e biznesit ”E ardhmja është tani: Si po riformëson inovacioni, shërbimet financiare shqiptare në 2025 dhe më tej?”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2015.

Ndërsa numri i pagesave dixhitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015. Ai theksoi se infrastruktura për pranimin e instrumenteve digjitale të pagesave gjithashtu ka njohur rritje të përshpejtuar.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të një transformimi thelbësor për mënyrën se si ofrohen, konsumohen dhe kuptohen shërbimet financiare. Risitë teknologjike po ndryshojnë peizazhin financiar në Shqipëri, duke nxitur zgjerimin e shërbimeve dhe përfshirjen financiare, si dhe duke ofruar mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët. Inovacioni nuk është më një luks apo diçka që i përket së ardhmes. Ai është një realitet i domosdoshëm që po revolucionarizon mënyrën se si mendojnë bankat për pagesat, kreditë, investimet dhe më tej.

Transformimi digjital ka sjellë mundësi të reja për rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare dhe rritjen e përfshirjes së popullatës në financë.

Një nga ndikimet më të dukshme të inovacionit në shërbimet financiare të Shqipërisë është transformimi digjital i pagesave dhe i bankingut. Falë përdorimit në rritje të teknologjisë celulare, internetit dhe promovimit të produkteve inovative, konsumatorët po fitojnë akses në shërbime financiare dhe mund të menaxhojnë financat e tyre, të transferojnë para, të paguajnë faturat, në mënyrë elektronike.

Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë. Instrumente të reja, si pagesat nëpërmjet portofoleve elektronike, po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë, duke u shtrirë edhe në popullsi ku aksesi bankar është më i rrallë,” tha Sejko.

Ai theksoi se Shqipëria ishte vendi i parë në rajon, i cili transpozoi kuadrin evropian të shërbimeve të pagesave të njohur si PSD2.

“Kjo paketë rregullatore i hapi rrugën aktorëve të rinj fintech për ofrimin e produkteve të pagesave të përshtatura sipas nevojave të klientëve, me kosto më të ulëta dhe lehtësisht të përdorshme. Ajo solli dhe një koncept të ri, atë të “open banking”, duke nxitur konkurrencën në treg. Deri më sot, janë autorizuar për të kryer veprimtarinë e ofruesit të shërbimit të inicimit të pagesave dhe atë të informimit të llogarisë, 2 institucione të parasë elektronike dhe 4 të tjera janë në proces shqyrtimi dhe vlerësimi.

Sikurse jeni në dijeni, janë shënuar dhe transaksionet e para të suksesshme, ai i inicimit të pagesës dhe i informimit të llogarisë, ndërmjet një banke dhe një institucioni të parasë elektronike, të cilat presim të rriten në volume dhe të shtrihen në më shumë subjekte.

Gjithashtu, kemi siguruar ofrimin e infrastrukturave të reja të pagesave, siç është sistemi AIPS Euro, i cili ka mundësuar shmangien e radhëve të gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në euro nga njëra bankë në tjetrën dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi përmes bankave korrespondente.

Operimi i këtij sistemi ka gjeneruar kursime të konsiderueshme, të cilat përllogariten në rreth 100 milionë euro. Vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 lekë në vitin 2020, konsumatorëve dhe bizneseve u janë kursyer përafërsisht 700 milionë lekë,” tha Guvernatori.

Guvernatori theksoi gjithashtu përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në SEPA, që pritet të reflektohen në uljen e komisioneve ndërkufitare në euro, në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, në zgjerimin e investimeve të huaja në vend etj.

“Komisionet për kryerjen e transaksioneve SEPA pritet të jenë ndjeshëm më të ulëta sesa ato aktuale. Vlerësojmë se vetëm nga ulja e komisioneve, kryerja e transaksioneve nëpërmjet  skemave SEPA do t’u kursejë agjentëve ekonomikë rreth 20 milionë euro në vitin e parë.

Këto përfitime do të jenë të prekshme, pasi secili institucion financiar të aplikojë dhe të pranohet individualisht në skemat SEPA. Banka e Shqipërisë po udhëheq procesin e aderimit të çdo institucioni financiar, duke vepruar si urë lidhëse komunikimi dhe informacioni dhe duke monitoruar plotësimin e kritereve përkatëse.

Institucionet shqiptare pritet të nisin aplikimet pranë EPC-së duke nisur nga muaji prill 2025. Bankat vendase janë angazhuar maksimalisht për plotësimin e kritereve teknike dhe ligjore, ku duhet të them, disa prej tyre kërkojnë investime të konsiderueshme financiare. Megjithatë, mbetemi besimplotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare do të mund të kryejnë transaksione SEPA duke nisur nga muaji tetor,” tha Sejko.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.