Veliaj rikthen Anuela Ristanin: Nuk kam asnjë përplasje me Ramën


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga burgu lidhur me debatin mbi emërimin dhe shkarkimin e kryetares në detyrë të bashkisë.

Pas largimit të Anuela Ristanit, Veliaj kishte deleguar përgjegjësitë te Sara Goxhaj, por më pas e ka anuluar këtë vendim, duke e rikthyer Ristanin në krye të institucionit. Ai sqaroi se delegimi i mëparshëm ishte bërë pa u dakordësuar me ekipin drejtues dhe për këtë arsye u korrigjua.

Duke iu përgjigjur zërave për një përplasje mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, Veliaj i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se mes tyre ekziston një marrëdhënie e konsoliduar prej vitesh.

“U informova që paska plasur ‘peshku’ në moçalet mediatike për një përplasje mes meje dhe Ramës për çështjen e delegimeve. Me Ramën kam vetëm mall të takohem dhe të flas për punët si gjithmonë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi,” u shpreh Veliaj.

Ai ironizoi interesimin e mediave për këtë çështje, duke e cilësuar si një “sport të ri” të krijuar falë hetimeve ndaj tij.