Veliaj shkarkon Anuela Ristanin, emëron Sara Goxhajn në krye të Bashkisë Tiranë


Kryebashkiaku Erion Veliaj ka shkarkuar Anuela Ristanin nga detyra e kryetares në detyrë të Bashkisë Tiranë, duke ia deleguar këtë përgjegjësi nënkryetares Sara Goxhaj.

Ristani mbante postin e kryebashkiakes në detyrë që prej 10 shkurtit, pas arrestimit të Veliajt. Sipas urdhrit të lëshuar nga Veliaj, Goxhaj do të kryejë detyrat e kryetarit të bashkisë përkohësisht, duke filluar nga 19 marsi 2025, deri në një urdhër të dytë.

Ky vendim shfuqizon urdhrin e mëparshëm të datës 14 shkurt 2025, i cili i delegonte përkohësisht detyrat e kryetarit Anuela Ristanit.

SHKRESA

“DELEGIMIT E DETYRAVE TË KRYETARIT” BASHKIA TIRANË”

Në mbështetje të nenit 8 pika 2, neni 59 pika “I”, pika “3” të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të neneve 22, 28 dhe 29 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, Rregullores me nr. 46111 datë 29.12.2022 për “Miratimin, Organizimin, Funksionimin, Detyrat dhe Përgjegjësitë e Strukturave të Institucionit të Bashkisë Tiranë”,

URDHËROJ:

1.Sara Goxhaj, Nën/Kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryej përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë Tiranë.

2.Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë.

3.Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet.

4.Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit me Qytetarët, për zbatimin e këtij urdhri.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe njoftohet në stendën e afishimeve publike të Bashkisë Tiranë.

KRYETARI Erion Veliaj