Bardhi: Do kallëzoj në SPAK Majlinda Bufin, prokoruria të veprojë me urgjencë ndaj Ballukut dhe bandës së saj elektorale


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka deklaruar se është duke bërë gati një kallëzim në SPAK për kryebashkiaken e Roskovecit Majlinda Bufi.

Në një shënim në Facebook ai shkruan se Bufi, që është pjesë e bandës elektorale të Belinda Ballukut, vijon të sfidojë organet e drejtësisë duke shpërndarjë leje legalizimipër 300 banorë të Roskovecit dhe Strumit me qëllim manipulimin e votës për zgjedhjet e 11 majit.

“Banda elektorale e Belinda Ballukut, ku kryebashkiakja e Roskovecit zë një vend” nderi“, vijon t’i bëjë karshillek ditën për diell ligjit dhe organeve të drejtësisë. E trimëruar nga pandëshkueshmëria, Majlinda Bufi, kryetarja e rekordeve të paligjshmërisë dhe korrupsionit, ditën e djeshme shpërndau fotot e grupeve të terrenit që po përgatisin lejet e legalizimit dhe certifikatat e pronësisë për 300 banorë të Roskovecit dhe Strumit, me të vetmin qëllim tjetërsimin dhe manipulimin e vullnetit të tyre për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Shpërndarja e lejeve të legalizimit dhe certifikatave të pronësisë është në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal, dhe meriton ndëshkim shembullor nga organet ligjzbatuese.” – shkruan Bardhi.

Kandidati i PD-së për qarkun e Fierit shton më tej se deri tani drejtësia nuk vepron  për Belinda Ballukun dhe anëtarët e bandës së saj elektorale, me zyrtarët që kanë braktisur detyrën dhe janë vënë në shërbim të bandës elektorale.

Në fund Bardhi shkruan se po bën gati kallëzimin për Bufin ndërkohë që i bën thirrje SPAK-ut të veprojë lidhur me denoncimet e PD-së ndaj ministres Balluku dhe anëtarëve të bandës së saj.

“Por, sic duket për Belinda Ballukun dhe anëtarët e bandës elektorale të saj nuk vepron as ligji e as drejtësia. Përndryshe si mund të shpjegohet që të gjitha zyrtarët e shtetit në qarkun e Fierit kanë braktisur detyrën dhe shërbimin ndaj qytetarëve, duke u vënë tërësisht nën shërbimin e bandës elektorale, dhe gjithë këtë e bëjnë ditën për diell, pa u shqetësuar se shkelin ligjin dhe konsumojnë haptazi vepra penalisht të dënueshme. Megjithatë, ne nuk do të heshtim dhe as nuk stepemi përballë bandës dhe anëtarëve të saj. Ditën e sotme kam autorizuar ekipin ligjor që të përgatisë menjëherë kallëzimin penal të rradhës për Majlinda Bufin në SPAK, ndërkohë që presim që prokurorët e posaçëm të veprojnë me urgjencë mbi dhjetëra kallëzime dhe mijëra faqe prova që kam dorëzuar këto gjashtë muaj ndaj kryetares së bandës elektorale, Belinda Balluku dhe secili anëtar të bandës së saj individualisht.” – mbyll shënimin Bardhi.