Berisha: PD është rruga e integrimit në BE, Ramës iu refuzua hapja e kapitujve të rinj


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së tij të përjavshme me gazetarët, ka komentuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Berisha e cilësoi PD-në si forcën kryesore që ka udhëhequr rrugën e integrimit në institucionet ndërkombëtare duke garantuar se ajo do të sigurojë vijimin e pandalshëm të këtij procesi.

“Qëllimi madhor i PD është integrimi i Shqipërisë në BE, por ky proces duhet të bazohet në meritë, me dy shtylla kryesore: funksionimin e shtetit ligjor dhe një ekonomi tregu funksionale”, theksoi Berisha.

Ai gjithashtu kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për mashtrime lidhur me premtimet për integrimin e vendit në BE brenda vitit 2027 apo 2030.

“Në mbledhjen e fundit, Këshilli Evropian në Bruksel i tregoi Ramës të vërtetën, duke refuzuar hapjen e kapitujve të rinj dhe duke mos caktuar asnjë datë për integrimin e Shqipërisë”, deklaroi ai, duke nënvizuar se vendi ka mbetur peng i një qeverisjeje që, sipas tij, nuk respekton standardet e kërkuara nga BE.

Berisha e përmbylli deklaratën e tij duke ritheksuar angazhimin e PD për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e vërtetë të integrimit evropian, duke siguruar që reformat e domosdoshme do të realizohen me vullnet dhe përkushtim.