Aeroporti Heathrow i Britanisë u mbyll tërësisht pas një zjarri në një nënstacion elektrik pranë tij, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë dhe duke dëmtuar fluturimet për qindra mijëra pasagjerë në nyjën ajrore më të ngarkuar të Evropës.
Shërbimi i ndjekjes së fluturimeve “FlightRadar24” raportoi se të paktën 1,300 fluturime nga dhe drejt Heathrow janë prekur tashmë, përfshirë disa nga qytete të SHBA-së që janë anuluar, përcjell AP.
Heathrow ka njoftuar se mbyllja do të zgjasë deri në orën 23:59 të së premtes, por ende nuk dihet saktësisht kur do të rikthehet energjia, duke ngritur shqetësime se ndërprerja mund të zgjasë më shumë.
Të paktën 1,350 fluturime janë anuluar ose devijuar. Disa avionë janë ridrejtuar në aeroportet Gatwick në Londër, Charles de Gaulle në Paris dhe Shannon në Irlandë.
Edhe nëse aeroporti rihapet të shtunën, pritet që vonesat dhe kaosi të vazhdojnë për ditë të tëra, ndërsa linjat ajrore përpiqen të riaktivizojnë avionët dhe ekuipazhet e bllokuara, si dhe të sistemojnë pasagjerët e prekur nga anulimet.
Sipas raportimeve nga pasagjerët, energjia elektrike është rikthyer në Terminalin 4 të Heathrow të premten pasdite.
Më parë, zjarrfikësit kishin konfirmuar se Terminalet 2 dhe 4 kishin mbetur pa energji pas zjarrit. Aeroporti kishte pezulluar të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse deri pas mesnatës.
“National Grid”, operatori i shpërndarjes së energjisë, tha se kishte gjetur një “zgjidhje të përkohshme” duke rikonfiguruar rrjetin, duke mundësuar rikthimin e energjisë për të gjithë klientët, përfshirë Heathrow.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse furnizimi me energji është rikthyer plotësisht.
Ndërkohë, Aeroporti Heathrow përballet me pyetje mbi arsyen pse një zjarr në një nënstacion të vetëm, 3.2 km larg tij, mund të shkaktojë një paralizë të tillë.
Autoritetet e aeroportit thanë se sistemet rezervë të emergjencës funksionuan siç pritej, por nuk ishin të mjaftueshme për të mbajtur në punë të gjithë aeroportin.