DASH ka publikuar raportin për vitin 2024 lidhur me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Në seksionin për Shqipërinë ai vëren se grupet kriminale të drejtuara nga shtetas shqiptarë luajnë rol të rëndësishëm në tregun e kanabisit, heroinës dhe kokainës.
Sipas DASH, këto grupe e kanë rritur sofistikimin dhe teknikat e pastrimit të parave, që bëhen më së shumti përmes sektorit të ndërtimit.
“Grupet e krimit të organizuar të udhëhequra nga shqiptarët luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin ndërkombëtar të kanabisit, kokainës dhe heroinës, sipas organeve të rendit shqiptar. Këto grupe të krimit të organizuar të udhëhequra nga shqiptarët shfaqen gjithnjë e më të sofistikuara për sa u përket krimeve, komunikimit dhe teknikave të pastrimit të parave. Ata veprojnë në gjithë Ballkanin si dhe në Bashkimin Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara, Kanada, Amerikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqi. Rrjetet kriminale shqiptare kanë qasje të drejtpërdrejtë në prodhimin e kokainës në Amerikën e Jugut dhe rrjetet e trafikimit që sjellin kokainë në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ata përdorin veçanërisht ekonominë shqiptare dhe sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe për të kontribuar në korrupsion. Krimi i dhunshëm në Shqipëri, duke përfshirë atentatet, është shpesh i lidhur me krimin e organizuar dhe gjyqtarët, prokurorët, policia, politikanët, gazetarët dhe aktivistët janëshpesh subjekt i kërcënimit.” – thotë raporti.
DASH vëren më tej se korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit dhe papunësua nxisin trafikun e drogës në Shqipëri.
“Korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit dhe papunësia nxisin problemin e trafikut të drogës në Shqipëri. Asistenca e SHBA përfshin këshillimin e SPAK-ut për rastet e narkotikëve dhe krimit të organizuar duke u përmirësuar bashkëpunimi ndërinstitucional për hetimin, këshillimin dhe trajnimin e agjencive mbikëqyrëse për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin dhe krimin e organizuar brenda agjencive të zbatimit të ligjit si dhe ofrimin e pajisjeve dhe trajnimeve të specializuara për të rritur aftësitë e zbatimit të ligjit.” – vëren raporti.