Departamenti i Drejtësisë shtyn FBI-në të publikojë më shumë dosje të Epstein


Departamenti i Drejtësisë është në mes të një përpjekjeje urgjente për të rishikuar materialet e ndjeshme nga hetimi i FBI-së për kriminelin e dënuar seksual dhe financuesin Jeffrey Epstein, me Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi që po shtyn FBI-në dhe departamentin e saj të lëshojnë më shumë dosje nga çështja, thanë burime të shumta për ABC News.

Rreth një mijë agjentë të FBI-së, shumë prej të cilëve zakonisht përqendrohen në çështjet e sigurisë kombëtare, janë angazhuar për të ndihmuar me përpjekjet, thanë burimet.

Shtytja vjen dy javë pasi Bondi shpërndau disa dosje të çështjes Epstein tek influencerat pro-Trump në mediat sociale. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt u përgjigj se “të gjithë po punojnë së bashku si një ekip i vetëm në drejtimin e Presidentit Trump”.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë ua kanë bërë të qartë të tjerëve në gjithë administratën Trump se është një përparësi kryesore e Prokurorit të Përgjithshëm të zgjidhë materialet që lidhen me Epstein dhe të vendosë se çfarë mund të zbulohet publikisht në ditët në vijim, thanë burimet.

Burimet i thanë ABC Neës se divizioni i sigurisë kombëtare i Departamentit të Drejtësisë po i kushton shumë nga burimet e tyre këtyre përpjekjeve, pavarësisht se disa zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit besojnë se informacioni që Bondi kërkon të rishikohet nuk përmban zbulime të reja.

Midis materialeve që po shqyrtohen për lirim janë prova video të pazbuluara më parë nga hetimi i trafikimit seksual ndaj Epstein, thanë burimet, duke shtuar se Departamenti i Drejtësisë nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Autoritetet gjithashtu mund të shqyrtojnë materialet e hollësishme në një dokument të lëshuar në fillim të këtij muaji që Departamenti i Drejtësisë po e quan “Lista e provave”, një katalog me tre faqe të materialit të marrë me sa duket nga kërkimet e pronave të Epstein në Nju Jork, Florida dhe Ishujt e Virgjër të SHBA.

Mes artikujve që hetuesit morën, sipas dokumentit, është “një CD me etiketën ‘libri nudo i fotove të vajzës 4’ dhe një dosje me titull “Ditar LSJ”, i cili duket se është një referencë për ishullin privat të Epsteinit, Little St. James.

Dokumenti gjithashtu liston dhjetëra pajisje regjistrimi, kompjuterë, hard disk dhe memorie, së bashku me pajisje të ndryshme seksuale.

Epstein vdiq në vitin 2019 pasi zyrtarisht u vetëvra në burg ndërsa përballej me akuzat federale të trafikimit të seksit të fëmijëve. Financieri me lidhje të shumta, i cili zotëronte një pronë ishullore private në Ishujt e Virgjër të SHBA-së, është përfolur prej kohësh se ka mbajtur një “listë klientësh” të famshëm dhe politikanësh.