Policia ka finalizuar operacionin “Gold”, duke arrestuar në flagrancë shtetasin turk B. A., 39 vjeç, dhe duke sekuestruar 455 gramë flori, bizhuteri, 35,000 euro dhe 16,200 dollarë.
Ai dyshohet se ka kontrabanduar sendet për t’i shitur në Shqipëri.
Po ashtu, është proceduar penalisht shtetasi S. B., 58 vjeç, i cili shiste materialet me vlerë për llogari të turkut.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gold”.
Kontrabandonte flori dhe bizhuteri floriri, për t’i shitur në Shqipëri, arrestohet në flagrancë shtetasi turk.
Këtij shtetasi i sekuestrohen rreth 455 gramë flori, si dhe 35 000 euro dhe 16 200 dollarë, të përfituar nga shitja e sendeve me vlerë.
Gjithashtu, identifikohet dhe procedohet penalisht shtetasi që shiste sendet me vlerë, për llogari të shtetasit turk.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kontrabandimit të sendeve me vlerë, me qëllim shitjen në Shqipëri, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4 dhe me Prokurorinë e Tiranës, finalizoi operacionin “Gold”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi turk B. A., 39 vjeç, banues në Stamboll, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. B., 58 vjeç, banues në Vlorë.
Nga kontrolli në automjetin që drejtonte shtetasi turk, në rrugën “5 maji”, u gjetën 455 gramë flori dhe bizhuteri floriri, të cilat dyshohet se ishin kontrabanduar me qëllim shitjen nga shtetasi S. B..
Mallrat pa fatura blerjeje, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 35 000 euro dhe 16 200 dollarë që iu gjetën 39-vjeçarit, automjetin dhe celularin e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.