“Maturantëve u kanë ndërprerë mësimin për aktivitetet e Ballukut”- Bardhi: Krim, SPAK të veprojë


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka denoncuar përdorimin e mësuesve dhe nxënësve për aktivitete politike të organizuara nga zv/kryeministrja Belinda Balluku në qytetin e Fierit.

Në një postim në Facebook, Bardhi e ka cilësuar këtë veprim një krim dhe ka kërkuar ndërhyrjen e SPAK për të ndëshkuar ata që shkelin ligjin dhe etikën profesionale.

Bardhi ka ndarë një denoncim të bërë nga mësues të shkollave të mesme në Fier, sipas të cilëve ata janë detyruar të braktisin mësimin dhe të shoqërojnë nxënësit e maturave në panairin e punës të organizuar nga Balluku.

Ai ka kërkuar që SPAK të ndërhyjë dhe të marrë masa për të hetuar dhe ndëshkuar ata që janë përgjegjës për shfrytëzimin e mësuesve dhe nxënësve në këto aktivitete.

Postimi i Bardhit:

Keqpërdorimi i mësuesve dhe nxënësve për aktivitete të stisura politike është krim!

Më poshtë denoncimi i mësuesve të shkollave të mesme në qytetin e Fierit, që sot janë detyruar të braktisur mësimin për aktivitetet e Belinda Ballukut!

Qytetarët e Fierit i kanë braktisur dhe sot secili prej tyre pyet: Ku është SPAK për të ndëshkuar krimet elektorale?

Denoncimi i mësuesve që janë detyruar të veprojnë në kundërshtim me ligjin, me urdhër politik të drejtuesve të shkollave:

Mirëmëngjes! Uroj të jeni mirë! Ditën e djeshme Belinda Balluku ka shpërndarë në facebook çeljen e panairit të punës në Fier.

Sot, drejtorët e shkollave kanë njoftuar mësuesit të shoqërojnë nxënësit e maturave, të ndërpresin mësimin orë 3,4, dhe të shoqërojnë nxënësit në panair.

Ndërprerja e mësimit nuk lejohet për çdo lloj aktiviteti, por mesa di unë, edhe pjesëmarrja në veprimtari ku marrin pjesë kandidatët për deputetë që janë shpallur zyrtarisht nga KQZ. Faleminderit!