Përleshje të dhunshme shpërthyen në disa qytete të Turqisë mes mbështetësve të opozitës dhe forcave të sigurisë për të dytën ditë, pasi demonstruesit kërkojnë lirimin e kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu.
Policia në kryeqytetin Ankara dhe në Stamboll hodhi gaz lotsjellës dhe përdor makina ujëhedhëse për të shpërndarë protestuesit, shkruan CNN.
Autoritetet turke arrestuan Imamoglu – një rival kryesor politik i presidentit Erdogan – të mërkurën, si pjesë e hetimeve për korrupsion dhe terrorizëm. Urdhrat e paraburgimit u dhanë gjithashtu për rreth 100 të tjerë të lidhur me kryebashkiakun, përfshirë këshilltarin e tij për shtyp Murat Ongun, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu Agency.
Protestat e së premtes pasojnë disa raste të dhunshme të enjten. Të paktën 16 oficerë policie u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit në gjithë Turqinë të enjten, sipas ministrit të Brendshëm turk Ali Yerlikaya, dhe të paktën 53 persona u arrestuan. Është e paqartë se sa protestues u plagosën gjatë protestave në vjim.
Të enjten, udhëheqësi kryesor i opozitës, Partia Republikane Popullore (CHP), Ozgur Ozel, iu drejtua turmave në Stamboll ndërsa ishte në çatinë e një autobusi.
“Ne nuk do të qëndrojmë në shtëpi derisa të mbani të mbyllur përfaqësuesin tonë të zgjedhur. Që tani e tutje ne jemi në rrugë. Ata po më pyesin ‘A po i thërrisni njerëzit të dalin në rrugë?’ Po, po, po!” tha Ozel.
Erdogan e ka hedhur poshtë zemërimin e opozitës si “teatrale” dhe “parrulla” për të cilat Turqia nuk ka kohë.
Mijëra protestuan sërish jashtë ndërtesës së bashkisë së Stambollit të premten, duke sfiduar ndalimin katërditor të tubimeve në rrugë në qytet, duke valëvitur flamujt turq dhe duke brohoritur parulla në shenjë proteste ndaj vendimit. Protestat e udhëhequra nga studentët e universitetit u mblodhën gjithashtu në Ankara dhe Izmir, ku ndalimi është gjithashtu në fuqi.
Imamoglu u zgjodh kryetar bashkie në vitin 2019 dhe përsëri në 2024. Votimi i ardhshëm presidencial është planifikuar për vitin 2028, por disa analistë thonë se Erdogan mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme, të cilat do t’i lejojnë atij të anashkalojë kufijtë e mandatit.