Banka Botërore parashikon që ndërhyrjet me punë civile në të paktën 15 ura që janë pjesë e projektit me vlerë 55 milionë dollarë të fillojnë në harkun e 12-16 muajve të ardhshëm.
Në vlerësimin që ju bë projektit “Ndërtimi I urave të qëndrueshme” saktësohet se kjo pritet të ndodhë në fazën e dytë teksa aktualisht është faza e parë që është në zbatim.
“Faza 1 e MPA-së për Ndërtimin e Urave të Sigurta në Shqipëri është në fazat e hershme të zbatimit, pasi është bërë efektive më 1 dhjetor 2023. Punimet fizike ende nuk kanë filluar. Përgatitja për Fazën 2 do të fillojë sapo të jetë dhënë 50 për qind e punimeve në kontratat për Fazën 1” thuhet në dokument.
I njëjti specifikon se Projekti Ndërtimi i Urave të Sigurta në Shqipëri është në fazat e hershme të zbatimit, ka kapërcyer sfidat fillestare dhe është në rrugën e duhur për të dhënë kontrata për punimet civile për shumicën e 15 urave në kuadër të projektit brenda 12-16 muajve të ardhshëm.
Vlera e projektit të Bankës Botërore është në total 55 milionë dollarë nga ku përfshihen tre komponentë. Të tillë janë infrastruktura e urave me 44 milionë dollarë, ndërtimi i kapaciteteve institucionale me vlerë 7 milionë dollarë dhe menaxhimi i projektit me vlerë 4 milionë dollarë. Pavarësisht se progresi për arritjen e objektivave vlerësohet i kënaqshëm vlerësimi i përgjithshëm i tij është “i kënaqshëm në mënyrë të moderuar”.
Komponenti 1 që ka edhe vlerën më të madhe parashikon rehabilitimin ose rindërtimin e urave dhe kanaleve prioritare në rrjetin rrugor kombëtar për të përmirësuar sigurinë e urës për t’i bërë ballë fatkeqësive të ardhshme natyrore dhe ndryshimeve klimatike. Rehabilitimi përfshin zëvendësimin in-situ (në vend) të pjesëve dhe strukturave të dëmtuara të urave ekzistuese.
Rehabilitimi përfshin gjithashtu përmirësimin ose rinovimin in-situ të urave ekzistuese për të përmbushur kërkesat e reja operacionale, si rritja e kapacitetit rrugor dhe niveleve të trafikut, rritja e sigurisë rrugore dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve në kushtet klimatike (duke rritur kapacitetin e hyrjes dhe rrjedhës) dhe ndaj fatkeqësive natyrore (tërmetet)./ Monitor