Rrjeti më i madh i shitjeve me pakicë në Kosovë, “Viva Fresh” blen “Spar Albania”


Kompania nga Kosova, Viva Fresh Store, njoftoi të enjten se ka arritur një marrëveshje për blerjen e Spar Albania nga grupi shqiptar Balfin.

Sipas njoftimit publik të Viva Fresh, ky investim synon të rrisë praninë e grupit në tregun shqiptar dhe të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e të dyja vendeve, duke krijuar vende të reja pune, duke fuqizuar prodhuesit vendas dhe duke modernizuar industrinë e shitjeve me pakicë. Vlera e transaksionit nuk është bërë publike.

Viva Fresh Store zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë dhe zotërohet nga biznesmeni nga Kosova, Xhevdet Rexhepi. Rrjeti është i pranishëm në aktivitetin e shitjeve me pakicë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet markave Viva Fresh Store dhe Super Kit Go.

Vitin e kaluar, Rexhepi bleu nëpërmjet kompanisë së tij SMA Holding edhe Top Shop (Studio Moderna), kompaninë më të hershme të shitjeve nëpërmjet kanaleve elektronike (kryesisht televizionit) në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Deri në vitin 2023, Spar Albania ishte kompania më e madhe në tregun e shitjeve me pakicë për nga xhiroja e realizuar. Spar Albania raportoi një xhiro prej 10.7 miliardë lekësh, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë. Fitimi para tatimit arriti në 406 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 62%.

Ndërkohë, në klasifikimin si franchise (duke përfshirë edhe xhiron e kompanive që përdorin më të njëjtën markë, por që kontrollohen pjesërisht apo plotësisht nga palë të tjera) Spar vlerësohet të jetë rrjeti i dytë më i madh i supermarketeve në Shqipëri, pas Big Market.  “Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, kishte të ardhura të konsoliduara sipas të dhënave zyrtare, rreth 26.6 miliardë lekë në 2023-n, dhe fitime prej 1.5 miliardë lekësh.

Duke përfshirë të gjithë rrjetin e franchise, të ardhurat e konsoliduara të Spar Albania arritën në 18.8 miliardë lekë, në rritje vjetore me 16%. Ndërsa fitimi para tatimit i rrjetit ishte 890 milionë lekë, 37% më shumë krahasuar me 2022. Norma e fitimit nga xhiroja për të gjithë rrjetin Spar Albania arriti në 4.7%, nga 4% një vit më parë.

Sipas informacionit zyrtar të Spar Albania, në fund të 2024 rrjeti i saj përbëhej nga 90 markete dhe dy hipermarkete.

Për grupin Balfin, të kontrolluar nga biznesmeni shqiptar Samir Mane, kjo është shitja e dytë e rëndësishme në tregun e retail. Në vitin 2007, Mane e shiti rrjetin e tij të shuitjeve me pakicë Euromax te kompania serbe Delta maxi Group, për 29 milionë euro. Kompania ndryshoi kontroll më vonë pasi grupi serb u ble nga kompania belge Delhaize Group dhe më pas nga një joint venture greko-francez, nën markën e grupit Carrefour. Megjithatë, ish-rrjeti Euromax ndoqi një trajektore rënëse, derisa në vitin 2015 Carrefour u tërhoq përfundimisht nga tregu, duke ia shitur rrjetin e dyqaneve me pakicë grupit balfin të Samir Manes.

Më tej, Balfin lidhi një marrëveshje me grupin me qendër në Hollandë, Spar, duke marrë ekskluzivitetin e franchise dhe produkteve të Spar për Shqipërinë. Gjatë një dekade në kontrollin e Balfin, Spar Albania ka ndjekur një trajektore rritëse, duke u bërë kompania më e madhe e shitjeve me pakicë në vend.

Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, është grupi i  dyti më i madh në vend, sipas qarkullimit vjetor, pas Kastrati.

Të ardhurat e 9 kompanive kryesore të grupit në Shqipëri ishin rreth 44 miliardë lekë, me rritje prej 14% me bazë vjetore. “SPAR Albania” është kompania më e madhe e grupit, sipas të ardhurave në vitin 2023, me 24% të totalit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor