Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar zyrtarisht nisjen e prodhimit të një avioni të ri ushtarak, F-47, të cilin e ka cilësuar si “më të fuqishmin në histori”.
Në një deklaratë nga Zyra Ovale, me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, në krah të tij, Trump tha se ky avion do të ketë teknologji stealth, që e bën të padukshëm ndaj radarëve, si dhe aftësi depërtuese shumë më të avancuara se avionët aktualë të flotës ushtarake amerikane.
Sipas Pentagonit, F-47 do të luajë një rol kyç në rastin e një konflikti të mundshëm me Kinën.
Trump bëri të ditur se kompania Boeing është ajo që ka fituar kontratën për prodhimin e këtij avioni modern.
Emri i tij, F-47, duket se është një referencë për mandatin e dytë të Trump në presidencë. Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi edhe rëndësinë e SHBA në aleancën e NATO-s: “NATO-ja është e fortë, por pa ne nuk do të ishte e njëjta gjë. Aleatët tanë duhet të na trajtojnë me respekt,” tha ai, përcjell The Guardian.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e quajti avionin e ri “një dhuratë për të ardhmen e Amerikës”, duke e krahasuar me administratën e mëparshme.
“Më parë, dukeshim si të paaftë,” tha ai, duke nënvizuar se programi i ri i avionëve është një mesazh i qartë për aleatët dhe kundërshtarët: “SHBA është më e fuqishme se kurrë.”
Megjithatë, ky projekt ka hasur edhe kritika. Ekspertët kanë ngritur pikëpyetje mbi kostot e larta dhe nevojën e një avioni të ri, duke pasur parasysh se Pentagoni ende po përballet me sfida në prodhimin e avionit luftarak F-35.
Për më tepër, bombarduesi më i ri stealth i Pentagonit, B-21 Raider, tashmë përfshin teknologji të avancuara, si materiale të reja, inteligjencë artificiale dhe sisteme të përmirësuara të fshehjes nga radarët.