Një sulm ajror në Gaza vrau disa anëtarë të një familjeje të premten, ndërsa Izraeli urdhëroi avancimin e forcave tokësore më thellë në territor dhe premtoi të mbajë më shumë zona nën kontroll derisa Hamasi të lirojë pengjet e mbetura.
Sipas dëshmitarëve dhe një spitali lokal, shpërthimi në lindje të Gazës vrau një çift bashkëshortor dhe dy fëmijët e tyre, si dhe dy fëmijë të tjerë që ndodheshin në të njëjtën ndërtesë. Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende për incidentin, përcjell AP.
Forcat izraelite paralajmëruan për operacione në tre lagje perëndimore të qytetit të Gazës dhe u kërkuan civilëve të evakuohen.
Paralajmërimi u dha pak pasi Izraeli njoftoi se kishte kapur dy raketa të lëshuara nga veriu i Gazës që aktivizuan sirenat në qytetin bregdetar të Ashkelonit.
Pas rimarrjes së një korridori që ndan veriun nga jugu i Gazës, trupat izraelite lëvizën të enjten drejt qytetit verior Beit Lahiya dhe qytetit jugor Rafah, duke riforcuar një bllokadë mbi Gazën Veriore.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të premten se “Izraeli do të vazhdojë operacionet në Gaza me intensitet të shtuar derisa Hamasi të lirojë pengjet.”
“Sa më shumë që Hamasi refuzon të lirojë të rrëmbyerit, aq më shumë territor do të humbasë ndaj Izraelit,” tha Katz.