Aeroporti Heathrow i Londrës, më i ngarkuari në Evropë, është mbyllur për shkak të një zjarri në një nënstacion elektrik që furnizon me energji ndërtesën. Këtë e ka bërë të ditur kompania administruese, sipas Corriere della Sera. Mbyllja e aeroportit pritet të zgjasë deri në mesnatë.
“Heathrow po përjeton një ndërprerje të konsiderueshme të energjisë. Për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë, Heathrow do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 23:59 të 21 marsit”, thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të aeroportit të Londrës.
Brigada e Zjarrfikësve të Londrës ndërhyri për shuarjen e zjarrit.
Incidenti shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në zonë, duke prekur edhe aeroportin.
Imazhet nga vendngjarja treguan flakë të mëdha dhe shtëllunga të dendura tymi të zi.
Rreth 150 persona u evakuuan, ndërsa u vendos një perimetër sigurie prej 200 metrash.
Brigada e Zjarrfikësve të Londrës njoftoi se 10 makina zjarrfikëse dhe rreth 70 zjarrfikës janë angazhuar për të shuar zjarrin në një nënstacion elektrik në Nestles Avenue, Hayes.
Ndihmës komisioneri Pat Goulbourne tha: “Zjarrfikësit tanë po punojnë pa u lodhur, në kushte sfiduese, për ta vënë zjarrin nën kontroll sa më shpejt të jetë e mundur.”
Zjarri ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, duke prekur një numër të madh banesash dhe biznesesh lokale. Autoritetet po bashkëpunojnë ngushtë me partnerët për të minimizuar pasojat e këtij incidenti.
Sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve FlightRadar24, të paktën 120 fluturime për në Heathrow janë devijuar drejt aeroporteve të tjera, ndërsa 1,351 fluturime duhej të uleshin dhe ngriheshin në këtë aeroport gjatë së premtes.
Një fluturim i Qantas nga Perth u devijua në Paris Charles de Gaulle ndërsa një fluturim i United Airlines nga Nju Jorku do të ulej në Shannon, Irlandë.
Linja ajrore, e cila ka bazën e saj kryesore në Heathrow, thotë se mbyllja do të ketë një “ndikim të madh” te klientët.
“Po punojmë sa më shpejt të jetë e mundur për t’i informuar ata mbi opsionet e tyre të udhëtimit për 24 orët e ardhshme dhe më tej,” thuhet në deklaratë, përcjell Sky News.
London-Heathrow will be closed for ALL of Friday due to a “significant power outage” caused by a fire in an electrical substation.
There are currently 120 aircraft in the air that will be diverting to alternate airports or returning to their origins. https://t.co/TEHf2kJO23 pic.twitter.com/Lot0lsJLz8
— Flightradar24 (@flightradar24) March 21, 2025