Altin Goxhaj: S’jemi kollovar në PD, do luftojmë në listë të hapur


Mediat kanë raportuar javën e fundit se disa nga deputetët e Partisë Demokratike që janë në lista të sigurta, sidomos në Tiranë, po mbajnë formalisht siglën e partive të vockla aleate, ndërsa këto parti të vockla që në asnjë rast tjetër nuk do nxirrnin dot deputet, kanë mundësinë që fiktivisht të figurojnë me deputet në Maj.

Mediat pro-qeveritare e kanë akuzuar PD se me këtë taktikë  Partia Demokratike nuk është se po u jep prestigj partive të vockla, por thjesht e kanë marifet të lidhur me financimet e partive, e në këtë variant sipas tyre, financimet nga buxheti shtohen.

Altin Goxhaj është një personazh i stër-njohur dhe nishan në kauzën “anti sorosiane” në Tiranë. Ai drejton një formacion politik që testohet për herë të parë, Aleanca Konservatore për Shqipërinë.

I pyetur pse partia e tij synoi vetëm listën e hapur, duke mos u dhënë siglën emrave të sigurt të PD-së Goxhaj tha se përgjigja për këtë pyetje është e thjeshtë “ne nuk shkojmë kollovar në PD”.

“Nuk paragjykojmë as PD dhe as partitë e vogla që kanë ofruar siglën. Unë nuk mendoj se është punë fondesh, por mendoj se PD ka përdorur këtë metodë për t’u dhënë përfaqësim dhe prestigj dhe siglave të partive të vogla. Nëse përfitojnë më shumë fonde me këtë skemë? T’i gëzojnë është win-win për ta, por jo për Aleancën Konservatore”, – u shpreh Goxhaj.

Sipas Goxhajt partia e tij Aleanca Konservatore e ka patur absolutisht të panegociueshëm bashkëpunimin me PD-në nëpërmjet kësaj formule, Goxhaj shprehet se nëse dhe Aleanca Konservatore do e bënte diçka të tillë do godiste tërësisht thelbin e saj.

Mendoni pak çfarë paradoksi do krijohej, – u shpreh Goxhaj, nëse partia jonë e re Aleanca Konservatore e cila në thelbin e saj ka denoncuar dhe sfiduar përballë dhe pa ekuivok një super-sistem të establishmentit të Soros, një ditë të bukur të fuste në listë të sigurt një deputet të PD-së që nuk ka asnjë lidhje me këtë thelb të partisë tonë. Do ishte vetvrasje” , – tha  Goxhaj, duke shtuar se “nëse PD-ja do kishte pozita kaq antagoniste dhe identike me ne kundrejt Soros atëherë nuk kishte nevojë për këto formula sepse shkriheshim me PD-në dhe mbaronte filmi. Në thelb ne kemi bashkuar aftësinë tonë me fuqinë e opozitës”.

Sipas Goxhajt, në Shqipëri ekziston një elektorat potencial që ka ngarkesë anti-soros dhe këtë lloj elektorati asnjëra nga partitë e tjera sipas tij, të mëdha apo të vogla qofshin, nuk e përthith dot.

Që ta shpjegoj më thjeshtë, ne jemi në koalicion me Partinë Demokratike sepse ajo ka të njëjtin sens drejtimi dhe orientimi me ne, por jo të njëjtën shkallë radikalizmi dhe përcaktimi si e jona në disa çështje thelbësore. Ky pigment radikal i yni është ajo çfarë në ka shtyrë të hidhemi në fushën e betejës, pasi ne besojmë se ka një potencial shumë të lartë të skeptikëve apo të njerëzve që u ka ardhur në majë të hundës me skemat e Sorosit, Shqipëria ka 30 vite që është shndërruar në projekt eksperimental.” , – shprehet Goxhaj, i cili në fund shtoi se “gradat mund të t’i japë veç lufta, luftëtarin e kualifikon dhe e sprovon veç lufta në fushëbetejë, nëse dikush merr grada para lufte, ato nuk janë grada por bizhu”.