Berisha: Nafta në Shqipëri nuk do shitet mbi çmimin që shitet në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar qeverinë për çmimin e naftës në Shqipëri dhe ka theksuar se nuk do të lejohet që nafta në vend të shitet mbi çmimin që aplikohet në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai ka theksuar se kjo është një formë e ndëshkimit të qytetarëve, duke u shprehur se nafta është e domosdoshme për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për ata që kanë mundësi.

Rama nuk e bën këtë sepse Rama ka një koncept të veçantë.

Para se të vija këtu po e dëgjoja në një video që i thoshte një pensionisti se ç’punë ka pensionisti me naftën.

Pra, edhe naftën e konsideron si një privilegj të atyre që kanë, në një kohë kur nafta është energji dhe është e domosdoshme për të gjithë shqiptarët.

Ne do ta bëjmë këtë, nafta në Shqipëri nuk do shitet mbi çmimin që shitet në Kosovë dhe Maqedoni.

Kosova e merr nga Durrësi naftën. Nuk mund të taksohet nafta 1.1 euro. Që këtu është një ndëshkim për qytetarët.”- u shpreh ai.

Mandej, Berisha premtoi se do të vendoset një “minimum jetik” për qytetarët shqiptarë, duke siguruar që askush nuk do marrë më pak se 200 euro në muaj.

Ai ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një programi për përmirësimin e kushteve të jetesës për shqiptarët.

Berisha theksoi se ky premtim nuk është një manovër elektorale, por një angazhim i thellë për të adresuar gjendjen e vështirë të qytetarëve, veçanërisht pensionistëve, të cilët përballen me pensione të ulëta krahasuar me rajonin.

Berisha ka krahasuar situatën e Shqipërisë me vendet fqinje, si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Kosova, ku pensionet janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit.