Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret që detyron banorët e territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia të marrin shtetësinë ruse deri më 10 shtator 2025, ose përndryshe të largohen nga ato zona, përcjell Reuters. Sipas raportimeve, rreth 3.5 milionë ukrainas që jetojnë në rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës preken nga ky vendim.
Dekreti synon të forcojë procesin e “rusifikimit” në këto territore, duke kërcënuar me dëbim dhe kufizimin e aksesit në shërbime bazë për ata që refuzojnë të marrin pasaportën ruse. Kjo masë është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar si një shkelje e sovranitetit të Ukrainës dhe e ligjit ndërkombëtar.
Që nga viti 2019, Rusia ka ofruar në mënyrë të përshpejtuar shtetësinë e saj për banorët e rajoneve separatiste të Ukrainës lindore. Deri më tani, mbi 720,000 banorë të Donjeckut dhe Luhanskut kanë marrë pasaporta ruse, që përbën rreth 18% të popullsisë së këtyre rajoneve.
Ky veprim i fundit i Kremlinit konsiderohet si një përpjekje për të konsoliduar kontrollin mbi territoret e pushtuara dhe për të dobësuar identitetin kombëtar ukrainas në ato zona.