Imamoglu dërgohet në gjykatë, vijojnë protestat në Stamboll


Katër ditë pas arrestimit, kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, u paraqit këtë mbrëmje në gjykatë, ku do të vendoset nëse ai do të mbetet në paraburgim apo do të lirohet. Seanca e tij zhvillohet në mes të tensioneve të larta, me mijëra protestues në rrugët e qytetit dhe masa të rrepta sigurie nga autoritetet turke.

Imamoglu mbërriti në Pallatin e Drejtësisë në Caglayan i shoqëruar nga një autokolonë prej 14 minibusësh, të cilët transportonin gjithsej 90 të arrestuar të tjerë në kuadër të hetimit për korrupsion dhe ryshfet. Për seancën gjyqësore është angazhuar një ekip prej 34 prokurorësh, ndërsa autoritetet kanë vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie përreth pallatit të drejtësisë, duke përfshirë një kordon policor dhe vendosjen e automjeteve ujë-hedhëse (TOMA) në pozicion mbrojtës.

Në një deklaratë të dhënë përpara se të paraqitej në gjykatë, Imamoglu i cilësoi akuzat ndaj tij si “të pabazuara dhe imorale”, duke pretenduar se hetimi është një përpjekje e drejtpërdrejtë për të dëmtuar figurën dhe reputacionin e tij politik. Ai ka theksuar se e gjithë kjo çështje është orkestruar për të minuar besueshmërinë e tij në sytë e qytetarëve turq.

Krahas Imamoglut, në të njëjtën seancë pritet të dëgjohen edhe kryetarët e bashkive të rretheve Sisli dhe Beylikduzu, si dhe disa zyrtarë të tjerë të komunës, të gjithë të lidhur me Partinë Popullore Republikane (CHP), forca kryesore opozitare në Turqi.

Arrestimi i Imamoglut ka shkaktuar një valë të madhe protestash në Turqi, veçanërisht në Stamboll, ku mijëra qytetarë janë mbledhur për të kundërshtuar atë që ata e shohin si një përndjekje politike ndaj një prej rivalëve më të fortë të presidentit Erdogan.

Përballë këtij mobilizimi të madh popullor, autoritetet turke kanë marrë masa të ashpra. Prefektura e Stambollit ka lëshuar një urdhër që ndalon çdo formë tubimi politik deri më 27 mars, duke argumentuar se kjo masë është e nevojshme për të shmangur “akte të paligjshme dhe përshkallëzimin e tensioneve”.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka reaguar ashpër ndaj protestave, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të destabilizojë vendin dhe të krijojë kaos.

“Duke nisur nga Stambolli, ata janë duke u përpjekur të përhapin tension dhe paqëndrueshmëri në qytetet tona,” deklaroi Erdogan gjatë një fjalimi të transmetuar në televizionin shtetëror TRT. Ai akuzoi gjithashtu mbështetësit e Imamoglut për sulme ndaj forcave të policisë dhe kërcënime ndaj përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.

Ekrem Imamoglu, i cili njihet si një nga kundërshtarët më të fuqishëm të Erdoganit, ka fituar tre herë radhazi kundër kandidatëve të Partisë AKP në Stamboll, duke i shkaktuar presidentit turk një disfatë të rëndë në qytetin e tij të lindjes.

Ndërkohë, Partia Popullore Republikane (CHP) është duke organizuar zgjedhjet e saj paraprake për kandidatin presidencial për vitin 2028, dhe Imamoglu ka bërë thirrje që mbështetësit e tij të votojnë në këto zgjedhje, duke e vendosur veten si një pretendent të mundshëm për të sfiduar Erdoganin në të ardhmen.

Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, Imamoglu u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e tyre, duke theksuar se “sovraniteti i përket popullit, pa kushte dhe kufizime”. Ai u shpreh i bindur se Turqia do të arrijë një nivel më të lartë të demokracisë dhe se shteti i së drejtës do të respektohet plotësisht në të ardhmen.