Izraeli thotë se po godet objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor, pasi raketa u lëshuan nga atje drejt territorit izraelit për herë të parë që nga marrëveshja dypalëshe e armëpushimit që hyri në fuqi në nëntor.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se kishte udhëzuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) “të veprojnë me forcë kundër dhjetëra objektivave terroriste në Liban“.
Më herët, IDF-ja tha se tre raketa u kapën nga mbrojtja ajrore mbi qytetin izraelit Metula të shtunën në mëngjes. Nuk pati raportime për të lënduar.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për lëshimin e raketave. Kryeministri i Libanit i kërkoi ushtrisë të marrë masa për të parandaluar që vendi të tërhiqet “në një luftë të re”.
Shefi i IDF-së, Eyal Zamir, megjithatë, tha se “shteti i Libanit mban përgjegjësi” për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit që i dha fund 14 muajve luftime me Hezbollahun, grupin e armatosur libanez të mbështetur nga Irani, përcjell BBC.
Raportet lokale në Liban thanë se artileria izraelite kishte goditur disa zona në jug të vendit.
Armëpushimi ka qenë i brishtë: Izraeli ka kryer pothuajse çdo ditë sulme ajrore ndaj asaj që e përshkruan si objektiva të Hezbollahut dhe ka sinjalizuar se sulmet do të vazhdojnë për të parandaluar grupin të riarmatosej.
Përveç kësaj, ushtria izraelite vazhdon të mbajë të pushtuara pesë zona në jug të Libanit, një veprim që qeveria libaneze e cilëson si shkelje të sovranitetit dhe shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, e cila kërkonte tërheqjen e trupave izraelite.
Izraeli pretendon se ushtria libaneze ende nuk është vendosur plotësisht në ato zona dhe se forcat e tij duhet të mbeten aty për të garantuar sigurinë e komuniteteve izraelite pranë kufirit.
Sulmi me raketa i së shtunës mbi Izrael do të shtojë edhe më shumë presionin mbi qeverinë libaneze dhe, me shumë gjasë, do të përdoret nga Izraeli si provë se ushtria libaneze nuk ka kontroll të plotë mbi zonat kufitare.
Pavarësisht sulmeve të vazhdueshme izraelite, Hezbollahu nuk ka reaguar. Grupi përballet me sfidën e madhe të sigurimit të ndihmës financiare për komunitetet e tij të prekura nga lufta, si dhe me presionin e kundërshtarëve të tij për t’u çarmatosur.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, i cili mori detyrën në janar, ka deklaruar se vetëm shteti duhet të ketë armë në vend – një deklaratë që shihet si referencë për arsenalit e Hezbollahut. Partnerët ndërkombëtarë të Libanit kanë theksuar se do ta ndihmojnë vendin vetëm nëse qeveria vepron për të kufizuar fuqinë e Hezbollahut.
Hezbollahu nisi fushatën e tij ushtarake një ditë pas sulmeve të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke deklaruar se po vepronte në solidaritet me palestinezët në Rripin e Gazës.
Konflikti u përshkallëzua dhe çoi në një fushatë të ashpër ajrore izraelite mbi Libanin, në vrasjen e disa liderëve të lartë të Hezbollahut dhe në një pushtim tokësor të jugut të vendit.
Ofensiva izraelite vrau rreth 4,000 persona në Liban, përfshirë shumë civilë, dhe shkaktoi zhvendosjen e më shumë se 1.2 milionë banorëve.
Qëllimi i shpallur i Izraelit në luftën e tij kundër Hezbollahut ishte të mundësonte kthimin e rreth 60,000 banorëve izraelitë të zhvendosur nga komunitetet në veri të vendit për shkak të sulmeve të grupit dhe të eliminonte praninë e tij përgjatë kufirit.